Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se është përballur me një tentativë të organizuar për “një grusht shteti të vërtetë”, duke përfshirë në këtë skenar, siç tha ai, edhe pjesë të Ushtrisë, Policisë dhe pothuajse të gjitha institucionet shtetërore – madje edhe kopshtet për fëmijë. Ai ka paralajmëruar se së shpejti do të dalin në dritë të dhëna tronditëse për trafikantë drogash dhe ndërmjetës përmes të cilëve, sipas tij, është drejtuar politika në vend.
Vuçiq shtoi se ka marrë oferta për kontrata ekskluzive lidhur me librin e tij “Si e munda revolucioni me ngjyra”. Megjithatë, ekspertët e konsiderojnë këtë deklaratë si tejet të rrezikshme, veçanërisht kur ajo vjen nga institucioni i Presidentit të Republikës.
Psikologu Dragan Popadiq tha për mediat lokale se deklarata të tilla të presidentit janë gjithnjë e më të shpeshta dhe më shqetësuese. Ai shton se nëse këto qëndrime nuk janë pjesë e një performance politike, por vijnë nga bindje të brendshme, atëherë gjendja psikologjike e presidentit duhet të merret seriozisht, raporton Nova
“Nëse nuk është duke aktruar apo duke gënjyer qëllimisht, por i beson vërtet asaj që thotë, atëherë për të mirën e tij dhe të gjithë neve, do të ishte mirë të marrë një pushim nga kjo ngarkesë e madhe emocionale. Problemi është se shumë institucione po shfaqin një dozë të caktuar pavarësie dhe kjo duket se e shqetëson thellë atë”, tha Popadiq.
Në një vijë të ngjashme ishte edhe komenti i analistit ushtarak Petar Bošković, i cili theksoi se retorika e Vuçiqit është në kufijtë e racionales. Sipas tij, është shqetësuese që një komandant i forcave të armatosura përdor një gjuhë kaq të rëndë e propagandistike për të krijuar frikë dhe konfuzion te qytetarët.
“Nëse ti vetë emëron njerëz në Ushtri dhe Polici që sillen si të zgjedhur nga ndonjë aparat Geiger për matje rrezatimi, atëherë nuk ka më asnjë logjikë. Shefi i kabinetit ushtarak është një ish-kontrabandist makinash në Kosovë, që tani është bërë gjeneral. E njëjta gjë po ndodh edhe në Polici. E gjithë kjo është një propagandë në stilin e Gebelsit për të çoroditur popullin”, u shpreh Boshkoviq, që është edhe nënkryetar i partisë opozitare Serbia CENTAR.
Sipas tij, nëse do të kishte vërtet një grusht shteti ushtarak apo civil, ai do të duhej të përfshinte një grup të strukturuar oficerësh apo forca paraushtarake që synojnë përmbysjen e pushtetit me dhunë. “Por kush në Serbi e ka bërë një gjë të tillë? Askush”, tha ai.
Boshkoviq shton se presidenti nuk ka më mbështetjen e strukturave ushtarake, sepse oficerët janë të shkolluar dhe e dinë mirë se çfarë po ndodh. Sipas tij, Vuçiq po përpiqet të krijojë një lloj “Garde Pretoriane” me njësitë speciale dhe Xhandarmërinë, për të siguruar pushtetin e tij absolut.
Ekspertët pajtohen se këto deklarata për atentate, rrëzim të rendit kushtetues apo grusht shteti, për të cilat deri tani nuk është paraqitur asnjë provë në publik, janë një taktikë e rrezikshme që kontribuon në krijimin e një atmosfere frike dhe pasigurie në vend.
aaaaa