Kur e kishte shtuar angazhimin rrugës për të mbërritur në pushtet, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje premtonte heqjen e TVSH-së mbi produktet bazike kur partia e tij do ta udhëhiqte vendin.
Nuk ka ndodhur ashtu.
“16% është TVSH-ja. Na kena nevojë me e përshkallëzu këtë. Për bukën, ujin, qumështin, vajin. kripën, sheqerin, miellin, librat – TVSH-ja zero”, premtonte Kurti dikur.
Ai tregonte se si do të ulej çmimi i bukës, qumështit, sheqerit, miellit, kripës e vajit, kur LVV-ja ta merrte nën udhëheqje shtetin.
“Çmimi mesatar i bukës në Kosovë sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës në nivel vendi për muajin shkurt të këtij viti ka qenë 36 cent. Kur t’ia heq TVSH-në, buka që është 36 cent, bëhet 31 cent. Ndërkaq buka e cila është më e lirë, 30 cent, bëhet 26 cent. Qumështi i cili mesatarisht kushton 91 cent, bëhet 78 cent litri, ndërkaq qumështi i cili kushton më lirë, pra 85 cent, bëhet 73 cent për litër. Mandej sheqeri i cili mesatarisht kushton 72 cent, do të bie në 62 cent. Mielli, mesatarisht, prej 38 cent, nëse e ke thesin 25 kilogramë, bie në 33 cent, ndërkaq mielli më i lirë prej 36 cent bie në 31 cent. Ndërkaq kripa, kur blihet me nga 5 kilogramë, prej 20 cent bie në 17 cent. Vaji, prej 1 euro e 23 cent mesatarisht, bie në 1 euro e 6 cent, ndërkaq vaji që është më i liri, që kushton 1 euro, bie në 86 cent”, shprehej Kurti.
“Pra, qytetarët e Kosovës si konsumatorë të klasës së mesme dhe të varfër do të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe do të pushojë një herë e përgjithmonë mënyra aktuale në të cilën ata që kanë më së paku kontribuojnë më së shumti në buxhet, e sërish përfitojnë më së paku”, shtonte ai.
Video me deklarata të tilla të Kurtit po qarkullojnë në rrjetet sociale tani, kur inflacioni është rritur dhe konsumatorët po ankohen për shtrenjtim.
Para dy ditësh, Kurti shkroi në Facebook se “paga mesatare në sektorin privat në vitin 2024 ka shënuar rritjen më të lartë ndonjëherë krahasur me vitin paraprak – kjo rritje është më e madhe sesa e gjithë rritja e pagës mesatare marrë së bashku në shtatë vjet të qeverisjeve të kaluara”, pa përmendur shtrenjtimin e produkteve.
aaaaa