Një stuhi sumë e fuqishme e shoqëruar me erëra të forta dhe breshër ka shkaktuar dëme të mëdha në disa pjesë të Sllovenisë, veçanërisht në fshatrat Lucova, Adrijanci, Shulinci dhe Zgornji Petrovci, ku janë dëmtuar shtëpi, automjete dhe të mbjellat janë shkatërruar plotësisht.
Në shkollën fillore në Shalovci, janë thyer dritaret e çatisë, ndërsa dëmet në bujqësi dhe pemëtari janë të mëdha. Kryetari i komunës së Gornji Petrovci, Franc Shlihtuber, ka bërë thirrje për ndihmë urgjente, duke theksuar se komuna nuk mund t’i përballojë vetë pasojat e stuhisë.
“Situata është jashtëzakonisht e rëndë. Patjetër kemi nevojë për ndihmë shtesë, sepse vetë nuk ia dalim dot,” tha Shlihtuber.
Sipas tij, breshëri ishte aq i dendur, sa në disa zona është dashur të pastrohet me makineri të rënda. Në disa vende, kokrrat e breshërit kanë arritur madhësinë e topave të tenisit, duke dëmtuar çati dhe automjete.
Agjencia Sllovene për Mbrojtjen e Mjedisit (ARSO) ka raportuar për reshje të dendura breshëri në rajonin e prekur, ndërsa Meteoinfo Slovenia ka theksuar se stuhia është shoqëruar edhe me erëra të fuqishme dhe shumë rrufe.
Edhe deputeti i partisë Socialdemokrate, Damijan Bezjak Zrim, në një nismë parlamentare drejtuar qeverisë, ka theksuar dëmet e mëtejshme në infrastrukturë, përfshirë dëmtimin e sallës së edukatës fizike të shkollës fillore, ku breshëri ka shpuar kupolat prej xhami duke shkaktuar rrjedhje uji brenda saj, si dhe dëmtimin e çatisë së ndërtesës komunale. Ai tha gjithashtu se shumë automjete kanë mbetur pa dritare dhe pasqyra.
Deputeti Zrim ka kërkuar që qeveria të shpallë menjëherë gjendjen e katastrofës natyrore.
aaaaa