Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, sot ka zhvilluar takimin e parë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Pas takimit, ai tha se ishte paraparë një takim trilateral edhe me palën serbe, por që ata nuk kishin arritur në Bruksel për shkak të disa vonesave në Vjenë.
“Fillimisht ai na tregoi me qasjen që ai mendon që ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve, qoftë në nivel të kryenegociatorëve, qoftë edhe në takimet e larta ku pastaj udhëhiqen nga znj. Kallas, dhe pastaj në takimin bilateral ngritëm një sërë temash për të cilat besojmë se është shumë me rëndësi që sa më shpejt të kemi përgjigje nga Brukseli apo zgjidhje”, tha Bislimi, duke përshkruar takimin me Sorensen.
“Për shembull kemi rastin e menagjimit të integruar të kufirit ku ka mungesa të mëdha nga ana e Serbisë si në përmbushjen e obligimeve të tyre përshembull në tri pika kufitare që ata është dashur të ndërtojnë, ose në përgjigje ndaj propozimeve tona që në Bujanoc, përshembull në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë të hapen pika sezonale gjatë kohës kur ka më shumë udhëtarë që kthehen edhe nga diaspora, por edhe për problemet që kemi në këtë fushë me njohjen e certifikatave fitosanitare edhe atyre veterinare dhe pengesave që iu bën Serbia. Pastaj ngritëm temën e kostove shumë të mëdha që po lindin nga mosfunksionalizimi i linjave të interkoneksionit mes Kosovës dhe Serbisë, që janë obligime të papërmbushura të Serbisë në kuadër të implementimit të marrëveshjes së energjisë. Treguam se deri në ç’masë janë humbjet që ka Kosova në baza vjetore nga kjo dhe barrierat që në vazhdimësi Serbia në mënyrë artificiale po i vendos”, tha ai, siç njoftoi Qeveria në detyrë e Kosovës.
Me Sorensenin, Bislimi tha se diskutuan edhe për “mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përmes ndihmave për fermerët e vegjël, të cilat i ka bllokuar Serbia në llogaritë bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar”. Tha se ka kërkuar “një përgjigje sa më të shpejtë për zhbllokimin e këtyre mjeteve”.
“Folëm edhe për fushatën dezinformuese që Serbia e ka nisur në shumë fronte me qëllim të dezinformimit të partnerëve ndërkombëtarë por edhe mbajtjes së lartë të presionit tek qytetarët serb në Kosovë dhe tema të tjera të ngjashme”, tha Bislimi.
Ai tregoi se “ka qenë i paraparë edhe një trilateral” por shtoi se “ky nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodh komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arrit në Bruksel për shkak të vonesave në Vjenë apo diçka të ngjashme”.
I pyetur se a kanë kuptim takimet në situatën në të cilën gjendet Kosova dhe nëse kjo ndikon në procesin e dialogut, Bislimi tha: “Natyrisht se ka vështirësi për arsye se nuk mund të mbahen takime të nivelit të lartë, por megjithatë janë disa tema ku Kosova mund të përfitojë nëse ka konstruktivitet apo qasje konstruktive nga ana e Serbisë edhe mendoj që nuk do të ishte në rregull nëse ne i humbim këto shanse për shkak se në Prishtinë ka pengesa në konstituimin e Kuvendit”.
aaaaa