Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi ka pranuar të takohet me kryenegociatorin serb për dialogun, Petar Petkoviq, por tha se delegacioni serb u vonua për të mbërritur në Bruksel.
Bislimi i tha Koha.net pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen se ishte paraparë që sot të mbahej edhe një takim trelateral, që nuk ndodhi.
Tha se në takimin me ndërmjetësin e BE-së ka diskutuar “një sërë temash”.
“Ka qenë i paraparë edhe një takim trelateral, por nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodhur komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arritur në Bruksel për shkak të vonesave”, tha ai.
Bislimi tha se e ka njoftuar Petersenin për qasjen që do ta ketë pala kosovare në fazat e ardhshme të bisedimeve.
“Në takim bilateral ngritëm një sërë temash për të cilat mendojmë se është shumë me rëndësi që të kemi përgjigje nga Brukseli, apo zgjidhje, p.sh. kemi rastin e menaxhimit të integruar të kufirit ku ka ngecje të mëdha nga ana e Serbisë, si në përmbushjen e obligimeve të tyre p.sh. në tri pikat kufitare që është dashur t’i ndërtojnë ose në përgjigje ndaj propozimeve tona që Bujanoc e Breznicë të hapen pika sezonale gjatë kohës kur ka udhëtarë që kthehen nga diaspora, por edhe problemet që kemi me njohjen e certifikatave. Diskutuam edhe për një proces shumë të rëndësishëm që e kemi – mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes ndihmave për fermerët e vegjël. I ka bllokuar Serbia në llogaritë bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar, kërkuam sa më shpejt çbllokimin e këtyre mjeteve, folëm edhe për fushatën dezinformuese që Serbia e ka nisur në shumë fronte me qëllim të dezinformomit të partnerëve ndërkombëtarë, por edhe mbajtjes lart të presioneve te qytetarët serbë në Kosovë dhe tema të tjera të ngjashme”, tha ai.
aaaaa