Projektligji për listat e hapura dhe një njësi zgjedhore në Maqedoni, si dhe për kandidaturën e deputetëve të pavarur, do të paraqitet nesër nga PLD-ja opozitare në Parlamentin e Maqedonisë. Kjo vjen pasi kryeministri Hristijan Mickoski, së fundmi shprehu gatishmërinë e tij për të pranuar një model zgjedhor me një njësi zgjedhore, i cili do të lejonte edhe votimin e emigrantëve në diasporë jashtë përfaqësive diplomatike dhe konsullore, transmeton Portalb.mk.
Zëdhënësi i partisë për PLD-në, Ljuben Avramovski, tha në një deklaratë për mediat se kjo nuk është një iniciativë e re për PLD-në.
“Deputetët tanë, në dy formacione të mëparshme parlamentare, paraqitën projektligje për të njëjtën reformë. Fatkeqësisht, ato iniciativa nuk morën mbështetje atëherë. Por ne nuk do të dorëzohemi”, theksoi Avramovski.
Kryetarja e partisë, Monika Zajkova tha se zgjidhja ligjore e propozuar do të paraqitet veçmas nga ajo e shpallur nga LSDM .
“Thelbi i propozimit tonë është që të mos ketë prag zgjedhor. Propozimi përfshin gjithashtu kërkesat e kandidatëve të pavarur, të cilët i paraqitën së fundmi, për të plotësuar boshllëkun e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka dispozita për votimin në diasporë, por amendamentet mund të paraqiten dhe diskutohen. Pasi ta paraqesim propozimin, ai duhet të vihet në procedurë parlamentare, para komisioneve. Presim mbështetje nga të gjitha partitë”, tha Zajkova.
LSDM njoftoi së fundmi se është e hapur për bisedime për futjen e një modeli të ri zgjedhor.
DOM kërkoi që iniciativa të zgjerohet duke futur një sistem zgjedhor proporcional, pa prag, me lista të hapura dhe me 50 përqind përfaqësim të grave në lista. Partia e Maqedonia e Vetme njoftoi dje se do të paraqesë kërkesë në Parlament për të futur në rend të ditës projektligjin e saj të vitit 2010 për një zonë zgjedhore dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
“Duke ndaluar koalicionet parazgjedhore, do t’u jepet fund të ashtuquajturave parti të vogla, të cilat para çdo cikli zgjedhor ecin nga një koalicion në tjetrin vetëm që kryetarët e tyre të mund të marrin poste drejtuese. Ne besojmë se e vetmja gjë e saktë është një koalicion paszgjedhor, pasi pesha elektorale e secilës parti të shihet në zgjedhje, përmes performancës individuale në zgjedhje”, njoftoi kjo parti.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese më 20 maj njoftoi se ka shfuqizuar nenet e Kodit Zgjedhor që rrisnin kuotat e nënshkrimeve të qytetarëve që kandidatët dhe listat e pavarura që planifikonin të merrnin pjesë në zgjedhje duhej të mblidhnin. Korpusi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, përfshirë këto, u miratua në mars të vitit të kaluar, në pritje të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit të kaluar, dhe supozohej të zbatohej edhe për zgjedhjet lokale të këtij viti.
aaaaa