string(47) "trump-humb-betejen-e-tarifave-cfare-pritet-tani"

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 12:04

Trump humb betejën e tarifave – çfarë pritet tani?

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 12:04

Në një goditje të madhe për një nga shtyllat kryesore të politikës ekonomike të presidentit amerikan Donald Trump, një gjykatë federale ka bllokuar tarifat e vendosura nga ai.

Më 2 prill, presidenti Trump prezantoi një regjim tarifor global të paprecedentë, duke vendosur taksa mbi importet për pjesën më të madhe të partnerëve tregtarë të SHBA-ve. Megjithatë, Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare ka vendosur se një ligj emergjence i përmendur nga Shtëpia e Bardhë nuk i jep presidentit autoritetin e njëanshëm për të vendosur tarifa pothuajse ndaj çdo vendi të huaj.

Gjykata ka deklaruar se Kushtetuta e SHBA-ve ia jep ekskluzivisht Kongresit fuqinë për të rregulluar tregtinë me vendet e tjera, dhe se kjo kompetencë nuk zëvendësohet nga mandati i presidentit. E pas vendimit, pati reagim të menjëhershëm nga administrata Trump, që tha se do ta apelojë vendimin.

Sipas raportimeve nga mediat amerikane, ishte një trupë prej tre gjyqtarësh që vendosi se Ligji për Fuqitë Ekonomike Ndërkombëtare në Rast Emergjence (IEEPA), një ligj i vitit 1977 të cilin Trump e përdori për të justifikuar tarifat, nuk i jep presidentit pushtetin për të vendosur taksa kaq të gjera ndaj importeve. E poashtu gjykata gjithashtu bllokoi një grup të ndarë tarifash që administrata Trump kishte vendosur ndaj Kinës, Meksikës dhe Kanadasë.

Pas këtij vendimi, tregjet globale kanë reaguar pozitivisht, me bursat aziatike që janë rritur mëngjesin e së enjtës, ndërsa edhe dollari amerikan forcoi pozitat kundrejt valutave të sigurta si jeni japonez dhe franga zvicerane.

Çfarë ndodh tani?

Dihet se Shtëpia e Bardhë ka në dispozicion 10 ditë për të ndjekur procedurat burokratike të pezullimit të tarifave, edhe pse shumica prej tyre tashmë janë pezulluar përkohësisht.

Çështja do të vazhdojë në gjykatat e apelit. Nëse Shtëpia e Bardhë dështon në apel, atëherë Agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufijve (CBP) do të lëshojë udhëzime të reja për zyrtarët e saj.

Por nëse ky vendimi i gjykatës do të vazhdojë të mbetet në fuqi, bizneset që kanë paguar tarifat do të kenë të drejtë të marrin rimbursim me interesa.

Kujtojmë se pasi Trump prezantoi një regjim tarifor global të papritur duke vendosur taksa mbi importet për pjesën më të madhe të partnerëve tregtarë të SHBA-ve, një tarifë bazë prej 10% u vendos ndaj shumicës së vendeve, ndërsa tarifa edhe më të larta “reciproke” iu imponuan dhjetëra shteteve dhe blloqeve ekonomike, përfshirë BE-në, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Meksikën dhe Kinën.

Trump argumentoi se kjo politikë e gjerë ekonomike do të forconte prodhimin vendas amerikan dhe do të mbronte vendet e punës. Ndërsa, që nga njoftimi, tregjet globale kanë përjetuar një valë tronditjesh, e cila u thellua edhe më shumë pas tërheqjeve dhe pezullimeve të përkohshme të tarifave nga ana e Trump, ndërsa qeveritë e huaja nisën negociatat me Uashingtonin.

Situata u përkeqësua edhe më tepër për shkak të një lufte tregtare të zgjatur me Kinën, pasi dy ekonomitë më të mëdha të botës shkëmbyen disa raunde rritjesh të ndërsjella të tarifave, duke kulmuar me një taksë 145% të SHBA-ve mbi importet kineze dhe një tarifë 125% të Kinës mbi mallrat amerikane.

Që atëherë, dy vendet ranë dakord për një armëpushim ekonomik: tarifat amerikane ndaj Kinës janë ulur në 30%, ndërsa Kina i ka reduktuar tarifat mbi disa importe nga SHBA në 10%.

Ndërkohë edhe SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar njoftuan marrëveshje për uljen e tarifave ndërmjet tyre.

Trump kishte kërcënuar se nga qershori do të vendoste një tarifë 50% për të gjitha mallrat që vijnë nga BE-ja, duke shprehur zhgënjim për ritmin e bisedimeve tregtare me bllokun. Por më pas, ai ra dakord të shtyjë afatin për më shumë se një muaj, pasi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kërkoi më shumë kohë për negociata.