Deputeti nga radhët e GUXO, Nezir Kraki, ka dalë hapur në mbrojtje të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pas veprimeve të ndërmarra nga Prokuroria Speciale ndaj këtij institucioni. Në një reagim të ashpër në rrjetet sociale, Kraki ka akuzuar prokurorët dhe mediat për bashkëpunim me, siç i quan ai, “bandat politiko-mediatike”, duke i quajtur edhe vetë prokurorët si pjesë të “bandave”.
Sipas Krakit, prokuroria po përdor “propagandën më absurde” si provë ndaj një ministri që, në vend se të jetë nën hetim, duhet të vlerësohet për ringjalljen e bujqësisë dhe për rritjen e tokës së punuar në Kosovë me 50%.
“Ministri që i dinamizoi mbi 120 mijë fermerë, që riktheu shpresën në tokën pjellore të Kosovës, tash përndiqet nga ata që një kohë i hiqnin fletarrestet Radojçiqit dhe mundësuan edhe sulmin terrorist në veri,” shkruan Kraki.
Deputeti Kraki kritikon gjithashtu mënyrën se si mediat dhe prokuroria po trajtojnë çështjen, duke përmendur se në të kaluarën janë bërë shumë më tepër shkelje pa pasur asnjë ndërhyrje nga organet e drejtësisë.
“Në Kosovën e atyre, një traktor ‘dhurohej’ 30 herë dhe një livadh merrte grant 20 herë për të njëjtin vit. A ju kujtohet ndonjë zbarkim spektakular i prokurorisë në ministrinë e asaj kohe? Jooo!” shton ai.
Kraki përfundon duke kërkuar urgjentisht themelimin e qeverisë Kurti 3 dhe nxitjen e proceseve kyçe si vettingu dhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme.
Kujtojmë se edhe kryediplomatja Donika Gervalla, e mbrojti fuqishëm ministrin Peci, të cilin e quajti “ministrin më shembullor të këtij mandati”. Zhvillimet e fundit të Prokurorisë në Ministrinë e Bujqësisë, ajo i cilësoi si një “inskenim të gërditshëm” të udhëhequr nga prokurori Blerim Isufaj.
Theksojmë, se ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci dyshohet se pa ankand publik, ia ka dhënë kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” me qira për 20 vjet impiantin publik për mbetjet shtazore. Peci sot është intervistuar rreth 5 orë nga Prokuroria Speciale, në cilësinë e të dyshuarit.