Sa herë që vjen koha për ndeshjet e kombëtares së Kosovës, diskutimet më të mëdha janë se kush do të jetë pjesë e listës së futbollistëve të ftuar.
Shumë herë, tifozët ndahen të pakënaqur, e në disa raste këto pakënaqësi janë të izoluara.
Një ndër lojtarët që shumë herë përmendet është edhe mesfushori, Valon Berisha.
32-vjeçari Berisha kritikohet shumë, si në komente në rrjete sociale, e po ashtu edhe në studio televizive, në emisionet sportive nga panelistë të ndryshëm.
Por, duket se kjo nuk çon fort peshë për mesfushorin.
Në një intervistë ekskluzive me “Gazeta Express”, Valon Berisha ka bërë me dije se këto kritika nuk ndikojnë tek ai, duke ia dhënë një mesazh atyre që flasin për të.
“Nuk merrem me kritika e komente, sepse shumica e njerëzve që analizojnë, vetëm flasin sa për të dhënë një mendim. Çdo paraqitje e imja me kombëtaren flet vet. Diçka duhet me dit, masi po më starton trajneri. Po këtu po më duket më mirë po dinë këta analistët e futbollit, se ne që luajmë e kemi arritë me bë karrierë të mirë europiane”, ka thënë Berisha për “Gazeta Express”.
Megjithatë, kësaj here, Valon Berisha nuk do të jetë në qendër të vëmendjes, shkaku se nuk do të jetë pjesë e kombëtares së Kosovës, për dy ndeshjet e qershorit, të cilat i luan ndaj Armenisë dhe Ishujve Komore.
Kështu tha vetë ai për “Gazeta Express”, duke konfirmuar mungesën e tij në këto ndeshje me një përgjigje të shkurtër: “Jo, nuk do t’i luaj këto dy ndeshje miqësore”.
Arsye për këtë duket të jetë lëndimi i tij, që e ka mbajtur jashtë fushës që nga marsi i këtij viti.
Berisha ndeshjen e fundit me minuta në këmbët e tij e ka me kombëtaren e Kosovës, më 20 mars, në takimin ndaj Islandës në kuadër të play-offit për Ligën B të Ligës së Kombeve.
Ndërkaq, me klubin e tij LASK Linz, Berisha për herë të fundit ka luajtur më 16 mars. Që atëherë, mesfushori i mungoi klubit austriak në 13 ndeshje.
“Kam luajtur me një frakturë në thembër, domethënë kam rrezikuar shëndetin për ta ndihmuar ekipin e kombëtaren. Kam përdorur edhe barna. Tash ishte nevoja me bë një regjenerim për thembër, në mënyrë që të përgatitem për sezonin e ri”, ka thënë Berisha për “Express”.
Edhe pse mungoi në tërë këto ndeshje, Berisha shprehet i motivuar për një rikthim të fuqishëm për sezonin e ri me Linzin.
“Kam ende kontratë me LASK Linzin deri në përfundim të qershorit të vitit të ardhshëm, dhe fokusi im është aty, që të bëj më mirë për një rikthim më të fuqishëm”, shtoi Berisha.
Valon Berisha për “Express”, foli edhe për grupin e Kosovës në kualifikimet e Botërorit 2026 – që luhet në ShBA, Kanada e Meksikë – duke u treguar optimist për arritje historike të Kosovës. Në këtë grup bëjnë pjesë Sllovenia, Suedia dhe Zvicra.
“Grupi i Kosovës në kualifikimet për Botëror është i hapur, secili i ka mundësitë e veta, dhe mendoj se kësaj here kemi mundësinë për të arritur historinë”, tha Berisha.
Pasi nuk ishte pjesë e Linzit për “pjesën finale” të sezonit, Berisha u rikthye në Kosovë. Si i ftuar special në finalen e Kupës së Kosovës në futboll, Valoni ia dorëzoi trofeun e fituesit Prishtinës, e cila e mposhti 1-0 Llapin.
Berisha e komentoi lojën, të cilën e ndoqi nga afër, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Ishte ndjenjë e mirë. Atmosfera në stadium ishte shumë e mirë, ndeshja ishte e hapur, me dy ekipet që kanë bërë lojë shumë të mirë”, tha Berisha.
Valon Berisha është një nga lojtarët e parë që e pranoi ftesën e kombëtares së Kosovës, pas pranimit në UEFA e FIFA.
Madje, ai e la kombëtaren e Norvegjisë, për të ardhur e përfaqësuar kombëtaren e Kosovës.
Ai dha një mesazh përmes “Gazeta Express”, për lojtarët e rinj që po hezitojnë të pranojnë kombëtaren dardane.
“Duhesh ta ndjesh me zemër personalisht vendimin për me ardhë në kombëtaren e Kosovës. Është një emocion që nuk përshkruhet. Është vendimi im më i mirë në karrierë”, tha Berisha.
Valon Berisha është pjesë e historisë së kombëtares së Kosovës, duke shënuar golin e parë në ndeshje zyrtare të “Dardanëve”. Këtë e bëri më 5 shtator 2016, në ndeshjen ndaj Finlandës, ku shënoi nga penalltia, me ndeshjen që u mbyll 1-1. Ajo ndeshje i përkiste kualifikimeve për kampionatin botëror “Rusia 2018”.
32-vjeçari ka 49 paraqitje me kombëtaren e Kosovës, në të cilat ka arritur të shënojë edhe tri gola të tjerë – duke çuar numrin në katër gjithsej.
Gjatë karrierës së tij me klube, Valon Berisha ka djersitur fanellën e Viking e Egersund në Norvegji dhe Salzburgut në Austri, aty ku u bë më i njohur edhe për publikun europian.
Te Lazio ishte për dy vite, teksa në një periudhë të shkurtër luajti edhe për Fortuna Dusseldorfin. Në Francë, luajti te Stade de Reims – për një kohë së bashku më kosovarin tjetër, Arbër Zenelin.
Pas pëvojës në Francë, Berisha mori rrugën për në Australi te Melbourne City, ku luajti për një vit.
Pas një gjysmë sezoni pa klub, nga shtatori 2023 deri në janar 2024, Berisha iu bashkua LASK Linzit./GazetaExpress/