string(68) "mungesa-me-zhurme-te-kombetarja-mesoni-prapaskenat-me-etrit-berishen"

Futboll

Gazeta Express

27/05/2025 16:01

Mungesa me zhurmë te Kombëtarja, mësoni prapaskenat me Etrit Berishën

Futboll

Gazeta Express

27/05/2025 16:01

Muaji qershor po afron dhe për Kombëtaren shqiptare ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2026 kanë rëndësi të jashtëzakonshme.

Me duelet vendimtare ndaj Serbisë në “Arena Kombëtare” dhe Letonisë në transfertë, trajneri Sylvinho po përballet me një sfidë të madhe për të formuar një ekip fitues dhe konkurrues.

Por, zgjedhjet e tij normalisht që kanë ngritur edhe disa polemika, pasi emra të diskutueshëm janë lënë sërish jashtë listët së 27 futbollistëve të grumbulluar.

Një prej rasteve më të fundit dhe që merr vëmendje kryesore është ai i Lindon Selahit, kampion në Kroaci me Rijekën, i cili megjithëse ka shfaqur formë të mirë, është thirrur vetëm një herë nga trajneri brazilian në fillimin e tij si trajner dhe prej kohësh nuk ka marrë asnjë ftesë për në Kombëtare.

Gjithashtu, Enea Mihaj, që ka realizuar sezonin më të mirë në karrierën e tij në Portugali, nuk u përfshi në listë.

Disa thonë se kjo mungesë mund të lidhet edhe me faktin se Mihaj është martuar dje dhe ka dashur të marrë pak kohë për veten.

Në vendin e tij është thirrur talenti i Benficës, Adrian Bajrami.

Një tjetër emër që ka ngjallur interes dhe është në zemrat e tifozëve mbetet ai i Etrit Berishës, portierit me përvojë, i cili nuk është thirrur në Kombëtare pas një debati me stafin teknik para ndeshjes me Italinë.

“Panorama Sport” mëson prapaskenat e ngjarjes në Europian, pasi portieri nga Kosova kishte pakënaqësi për pjesën e aktivizimit. Në të tria ndeshjet e Euro 2024 kishte mbrojtur Strakosha.

Megjithatë, Berisha tani është rikthyer në aktivitet dhe po luan në Suedi, por deri më tani nuk ka marrë ftesë për kualifikueset.

Gazeta u mundua të kontaktonte me gardianin kuqezi, por nuk mori një përgjigje prej tij.

EMRAT E TJERË – Mungojnë gjithashtu edhe lojtarë si Kristian Shpendi, sulmuesi i Cesenës që po shënon rregullisht në Serinë B, Anis Mehmeti i cili ka luajtur mirë me Bristolin, duke e çuar klubin në play-off për Premier Ligë, dhe Arda Kurtulan, aktiv në Superligën turke me Adanan.

Të gjithë këta futbollistë mund të konsiderohen si alternativa të forta në skuadrën kuqezi, por për momentin trajneri Sylvinho nuk i ka vlerësuar të gatshëm për përfaqësuesen.

Ndërkohë, jashtë kanë mbetur edhe Arbnor Muja, Taulant Seferi, Indrit Tuci apo Simon Simoni, teksa në vendin e këtij të fundit, u preferua Mario Dajsinani i Egnatias, i cili është edhe risia e kësaj liste.

Po ashtu, nga hera e fundit, në ekip rikthehet Mitaj, Daku dhe Hysaj.