string(87) "begaj-ne-asamblene-parlamentare-te-nato-s-ballkani-hapi-i-radhes-strategjik-per-europen"

Shqiperi

Gazeta Express

27/05/2025 9:03

Begaj, në Asamblenë Parlamentare të NATO-s: Ballkani, hapi i radhës strategjik për Europën

Shqiperi

Gazeta Express

27/05/2025 9:03

Presidenti i Republikës Bajram Begaj mbajti një fjalim të rëndësishëm në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në kuadër të diskutimit “Sfidat e Dayton-it për integrimin në BE”.

Në fjalën e tij si i ftuar nderi, presidenti Begaj vlerësoi rolin e NATO-s si një aleancë politike, ushtarake dhe morale që garanton siguri dhe stabilitet në Evropë dhe më gjerë. Ai tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009 ishte një kthesë historike që e vendosi vendin në zemër të familjes euroatlantike.

“Shqipëria ka rritur buxhetin për mbrojtjen, po investon në infrastrukturën ushtarake dhe po rijetëson industrinë e saj të mbrojtjes,” tha Presidenti, duke nënvizuar angazhimin e vendit për të kontribuar në sigurinë evropiane dhe për të përmbushur detyrimet e saj si aleate.

Duke reflektuar mbi 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dayton-it, Presidenti tha se paqja është e brishtë dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm politik, diplomatik dhe ushtarak. Ai theksoi se Ballkani Perëndimor nuk është një kapitull i mbyllur i Evropës, por një hap i radhës strategjik për të.

“Integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian nuk është çështje gjeografie, por çështje besueshmërie, kohezioni dhe vizioni strategjik,” u shpreh Presidenti Begaj. Ai shtoi se Shqipëria është krenare për partneritetin me SHBA dhe për rolin e saj si vend kandidat për anëtarësim në BE.

Presidenti solli në vëmendje edhe realitetin e Kosovës si shtet i pavarur, falë vendimeve të guximshme ndërkombëtare në një moment kritik, ndërsa paralajmëroi se paqja në rajon duhet mbrojtur çdo ditë nga zërat që e tërheqin drejt së kaluarës.

Në përfundim, Presidenti theksoi se ajo që i duhet Ballkanit është një prani e qëndrueshme strategjike e SHBA-së, NATO-s dhe BE-së, si dhe një vizion i qartë për përballimin e sfidave, forcimin e demokracisë dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik.