Milorad Dodik, i shpallur në kërkim nga drejtësia e Bosnje dhe Hercegovinës, sërish do të udhëtojë për në Federatën Ruse, ku pritet të zhvillojë një takim bilateral me sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Rusisë, Sergej Shoigu. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, shkruan Istraga.ba.
Takimi do të mbahet në kuadër të “Takimit të XIII Ndërkombëtar të përfaqësuesve të lartë përgjegjës për çështjet e sigurisë”, i cili do të zhvillohet në Moskë, nga 27 deri më 29 maj, në qendrën kombëtare “Rusia”.
Shoigu, sipas njoftimit zyrtar, do të zhvillojë takime dypalëshe edhe me krerët e delegacioneve nga India, vende të ndryshme të Amerikës Latine, Azisë Juglindore, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore.
Ministria e Jashtme ruse ka konfirmuar pjesëmarrjen e Dodikut në këtë forum dhe ka paralajmëruar takimin mes tij dhe Shoigut si pjesë e agjendës zyrtare.
Gjatë këtij takimi, thuhet se ekspertë të fushës së sigurisë do të diskutojnë për çështje të sigurisë globale dhe rajonale.
Shoigu gjithashtu ka planifikuar takime me përfaqësues të lartë nga Nikaragua, Vietnami, Koreja e Veriut, Tajlanda, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Algjeria.