Alpinistja e njohur kosovare, Uta Ibrahimi, është kthyer në atdhe pas përfundimit të një prej misioneve më sfiduese në botën e alpinizmit – ngjitjes së 14 majave më të larta në glob.
Me këtë arritje, ajo futet në mesin e alpinistëve më të njohur ndërkombëtarë, duke e ngritur edhe më shumë emrin e Kosovës në skenën botërore.
Për këtë sukses të jashtëzakonshëm, asaj i ka uruar mirëseardhje ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili përmes një postimi në Facebook ka vlerësuar lart këtë arritje.
“Mirë se erdhe Uta 🇽🇰 Uta kthehet në shtëpi, pas përmbylljes së një prej rrugëtimeve më të jashtëzakonshme të saj, realizimin e projektit të ngjitjes së 14 majave më të larta në botë. Një arritje historike që e vendos atë mes alpinistëve më të mëdhenj botërorë. Faleminderit Uta që lartësove shtetin tonë. 💙”, ka shkruar Çeku.