string(97) "incident-tragjik-prane-parades-se-liverpoolit-makina-perplas-disa-kembesore-arrestohet-nje-person"

Sport

Gazeta Express

26/05/2025 21:03

Incident tragjik pranë paradës së Liverpoolit: Makina përplas disa këmbësorë, arrestohet një person

Sport

Gazeta Express

26/05/2025 21:03

Atmosfera festive në qytetin e Liverpoolit u kthye në kaos mbrëmjen e së hënës, pasi një makinë përplasi disa këmbësorë pranë vendit ku po zhvillohej parada për festimin e titullit të Premier League nga Liverpool FC.

Policia konfirmoi se ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, në “Water Street”, në qendër të qytetit, ndërsa mijëra tifozë kishin mbushur rrugët për të festuar suksesin historik të klubit.

“Jemi duke trajtuar një incident trafiku në qendër të Liverpoolit, ku një makinë është përplasur me disa këmbësorë. Automjeti është ndalur në vendngjarje dhe një mashkull është arrestuar. Shërbimet e emergjencës janë të pranishme dhe po trajtojnë situatën,” deklaroi zëdhënësi i policisë.

Më vonë u bë e ditur se i arrestuari është një 53-vjeçar britanik i bardhë, me banim në zonën e Liverpoolit.

Natasha Rinaldi, e cila po shihte paradën nga dritarja e banesës së një shoqeje, tha për “Sky News”:

“Dëgjuam britma të forta, njerëzit dukeshin të dëshpëruar. Kur pamë nga dritarja, makina po kalonte sipër njerëzve. Ishte e tmerrshme.”

Sipas saj, njerëzit u përpoqën të ndalonin makinën dhe filluan ta godisnin, por policia ndërhyri për të shpërndarë turmën.

Një tjetër dëshmitar, Harry Rashid, i cili ndodhej në paradë me familjen, tha:

“Makina u fut nga ana e djathtë dhe përplasi njerëzit pranë nesh, vetëm 3 metra larg. Ishte një furgon gri që udhëtonte me shpejtësi të madhe. Dëgjuam njerëz që përplaseshin mbi kofano dhe makina u ndal për 10 sekonda, pastaj shtypi gazin sërish dhe përplasi të tjerë. Ishte e tmerrshme dhe dukej e qëllimshme.”

Chelsea Yuen, e cila ishte duke ecur me një mike dhe fëmijën e saj, tregoi:

“Po lëviznim si sardele, pastaj dëgjuam borinë dhe britmat. Kur pamë lart, një furgon i zi po vinte drejt nesh. Arritëm të shmangnim përplasjen për pak.”

Ajo shtoi se xhamat e makinës ishin të thyer dhe njerëzit po e ndiqnin për ta ndalur. “Jemi ende në shok, nuk po ndalojmë së dridhuri,” tha ajo për “Sky News”.

Shërbimi i Ambulancës së Veriut të Anglisë tha në një deklaratë se po vlerësojnë situatën dhe po bashkëpunojnë me shërbimet e tjera të emergjencës.
“Prioriteti ynë është që të gjithë të marrin ndihmën mjekësore sa më shpejt të jetë e mundur.”

Aktualisht, nuk ka të dhëna zyrtare për numrin ose gjendjen e të lënduarve.

Kryeministri Keir Starmer reagoi:

“Pamjet nga Liverpooli janë tronditëse – mendimet e mia janë me të gjithë të lënduarit apo të prekurit nga ky incident. Falënderoj policinë dhe shërbimet e emergjencës për ndërhyrjen e shpejtë. Jam duke u informuar në vazhdimësi dhe kërkoj që policisë t’i jepet hapësira e nevojshme për të hetuar.”

Ministrja e Brendshme Yvette Cooper dhe deputetja e zonës Kim Johnson janë gjithashtu të informuara për situatën. Johnson tha:

“Shpresoj me gjithë zemër që të gjithë të jenë të sigurt dhe të kthehen sa më shpejt pranë familjeve të tyre.”

Hetimet për motivet dhe rrethanat e incidentit janë në zhvillim./GazetaExpress/