Milani ka zyrtarizuar emërimin e Igli Tares si drejtorin e ri sportiv pas disa muajsh negociatash, duke nënshkruar një kontratë trevjeçare.
“AC Milan njofton emërimin e Igli Tares si Drejtor Sportiv i Ekipit të Parë. Ai do të raportojë drejtpërdrejt te CEO-ja i klubit, Giorgio Furlani,” thuhet në deklaratën zyrtare të klubit.
“Jemi të lumtur ta mirëpresim Igli Taren në familjen kuqezi,” shtoi Furlani për faqen zyrtare të Milanit.
“Ai është personi i duhur për të nisur fazën tonë të re: kompetencë, vendosmëri dhe vlera të forta, të kombinuara me njohje të thellë të futbollit italian dhe një vizion ndërkombëtar, e bëjnë atë profilin ideal për të udhëhequr kapitullin e radhës të klubit përmes zhvillimit të një projekti ambicioz sportiv.”
Ish-sulmues dhe ndërkombëtar shqiptar, që ka luajtur në Serie A me Brescia, Bologna dhe Lazio, Tare e nisi karrierën si drejtues menjëherë pas tërheqjes nga futbolli aktiv në vitin 2008, duke qëndruar për 15 vite te Lazio. Ai u largua në verën e vitit 2023, në mes të tensioneve të raportuara me trajnerin Maurizio Sarri — një fakt që bën të pamundur ardhjen e Sarrit në stolin e Milanit.
“Pjesëmarrja në një klub si AC Milan është një burim krenarie dhe përgjegjësie të madhe. E falënderoj klubin për besimin e treguar. Klubi e njeh vendosmërinë time dhe dëshirën për të pasur sukses: do të përkushtoj gjithë përvojën time në shërbim të këtij klubi të madh, që është i vendosur të rikthehet në elitën e futbollit italian dhe evropian,” deklaroi Tare për faqen e klubit.
Ky emërim i jep fund kërkimit disa mujor për një drejtor sportiv, një rol që ka qenë bosh që nga largimi i Antonio D’Ottavio në dhjetor 2024. Milan kishte arritur marrëveshje paraprake me Fabio Paraticin në prill, por ajo ra në ujë për shkak të rrezikut nga ndëshkime të mundshme lidhur me parregullsitë financiare gjatë kohës së tij te Juventusi.
Tare ishte gjithnjë në listën e kandidatëve, por kontrata u finalizua vetëm pasi klubi mori refuzime nga kandidatë të tjerë, përfshirë Tony D’Amico të Atalantës.
Një nga detyrat e para të Tares do të jetë zgjedhja e trajnerit të ri, pasi Sergio Conceição nuk pritet të vazhdojë përtej këtij sezoni. Tare do të duhet të ndërtojë një projekt të ri nga e para, pasi Milani nuk arriti të sigurojë asnjë pjesëmarrje në kompeticionet evropiane./GazetaExpress/