Përderisa shumë vende në Evropë e kanë ndaluar përdorimin e “smartphone”-ve në shkolla, Estonia – e konsideruar fuqia e re arsimore e Evropës – është duke udhëzuar nxënësit të përdorin pajisjet në klasë, ndërsa që nga shtatori do të marrin edhe llogaritë personale të Inteligjencës Artificiale.
Sipas The Guardian, Estonia po nis një iniciativë kombëtare të quajtur AI Leap, që do t’i pajisë nxënësit dhe mësuesit me “mjete dhe aftësi botërore në fushën e inteligjencës artificiale”. Ndërsa, është bërë e ditur se po negociohen licenca me OpenAI, që do ta shndërrojë Estoninë në një laborator eksperimental për përdorimin e Inteligjencës Artificale në shkolla. Qëllimi është të ofrohet qasje falas në mjetet më të avancuara të të mësuarit me IA për 58,000 nxënës dhe 5,000 mësues deri në vitin 2027, duke filluar me 16- dhe 17-vjeçarët këtë shtator.
Sipas zyrtarëve, mësuesit do të trajnohen në teknologji, duke vënë prioritet barazinë arsimore dhe aftësitë për përdorimin e IA-së. Ata kanë thënë se kjo do ta bëjë Estoninë “një nga kombet më të mençura në përdorimin e IA-së.”
Ndërkohë, ministrja estoneze e arsimit, Kristina Kallas, gjatë një vizite në Londër për Forumin Botëror të Arsimit, ëshë shprehur me fjalët: “E di se shumica e vendeve evropiane janë skeptike dhe të kujdesshme ndaj ekraneve, telefonave mobilë dhe teknologjisë. Por në rastin e Estonisë, shoqëria në përgjithësi është shumë më e hapur dhe e prirë për të përdorur mjete dhe shërbime dixhitale. Mësuesit nuk bëjnë përjashtim.”