Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar një pako të re sanksionesh kundër Rusisë, të cilat synojnë individët e lidhur ngushtë me pushtetin e presidentit rus, Vladimir Putin.
Përmes një postimi në rrjetin social X të dielën, Zelensky bëri të ditur se masa të reja janë ndërmarrë kundër atyre që ndihmojnë financiarisht dhe propagandistikisht agresionin rus ndaj Ukrainës.
“Pakoja e parë përfshin rusë të përfshirë në financimin e aktiviteteve terroriste ruse, manipulime financiare dhe skema për shmangie të sanksioneve ‘që u shërbejnë interesave ruse’”, ka shkruar ai.
Presidenti ukrainas sqaroi se pakoja e dytë i drejtohet propaganduesve rusë, të cilët kanë luajtur rol në nxitjen e luftës përmes dezinformimit.
“Pakoja e dytë përfshin propagandues rusë, ‘gënjeshtrat e të cilëve ushqejnë sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës’”, shtoi ai.
Ai theksoi gjithashtu se masat do të prekin edhe grupet mafioze që mbështesin regjimin e Kremlinit.
“E treta zbatohet ndaj anëtarëve të grupeve mafioze ruse që kanë ndihmuar ndjeshëm në ngritjen e regjimit të Putinit dhe që vazhdojnë të jenë të lidhur me të”, tha Zelensky.
Duke theksuar bashkëpunimin ndërkombëtar, ai njoftoi se po punohet për harmonizimin e sanksioneve me vendet partnere.
“Ne po punojmë për t’i harmonizuar sanksionet ukrainase me rregullat e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe juridiksioneve të tjera kryesore globale”, deklaroi ai, duke theksuar se objektivi është goditja e strukturave që janë në shërbim të Rusisë.
Zelensky paralajmëroi gjithashtu vendime të reja që do të ndërmerren së shpejti nga institucionet shtetërore.
“Vendime të reja nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe të Mbrojtjes do të pasojnë së shpejti”, përfundoi ai.
Reisebüro Prishtina ofron shërbime të sigurta, të shpejta dhe të besueshme, duke mbetur zgjedhja kryesore për ata që udhëtojnë nga...