string(72) "zv-ministri-i-bujqesise-shkon-per-dreka-zyrtare-ne-restorantin-e-vellait"

Lajme

Gazeta Express

26/05/2025 7:34

Zv.ministri i Bujqësisë shkon për dreka zyrtare në restorantin e vëllait

Lajme

Gazeta Express

26/05/2025 7:34

Llazar Radulloviq ishte emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më 14 janar 2023.

Emisioni “Kallxo Përnime” ka zbuluar se të paktën nëntë herë, prej kur Radulloviq mban postin e zv.ministrit, ai shkoi për dreka zyrtare në restorantin e vëllait në Llapnasellë.

Restaurant “Ciao” është në pronësi të Nebojsha Radulloviqit, vëllai i zv.ministrit, Llazar Radulloviq.

“Kallxo Përnime” përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka siguruar faturat për dreka dhe darka zyrtare.

Shuma e përgjithshme e faturave kap vlerën e 1,249 euro.

Në përshkrime të faturave, zv.ministri Radulloviq ka deklaruar që ka pasur takime me zyrtarë nga Mali i Zi, deputetë e përfaqësues diplomatikë.

Nebojsha Radulloviq, vëllai i zëvëndësministrit, nuk ka pranuar të flasë për këtë rast.

Në anën tjetër, vetë zv.ministri ka arsyetuar se pse zgjedh restorantin e vëllait për dreka zyrtare.

“Në Graçanicë, për fat të keq, vetëm këto dy restorante kanë cilësi dhe shërbim në një nivel ku mund t’i çoni mysafirët në drekë, dhe në restorantin ‘Ciao’ kursejmë 30 deri në 40 euro për drekë në krahasim me çmimet në ‘Etno House’, dhe kjo është e vetmja arsye ekonomike pse shkojmë në restorantin ‘Ciao’. Për të kursyer” – ka deklaruar Llazar Radulloviq.

Në Kosovë, një zëvendësministër mund të shpenzojë deri në 200 euro në muaj për dreka, darka apo takime të tjera zyrtare.

Kjo shumë është e përcaktuar në Rregulloren Nr. 06/2023 të Qeverisë së Kosovës për kompensimin e shpenzimeve të përfaqësimit.

Sipas kësaj Rregulloreje, shpenzimet lejohen vetëm për qëllime zyrtare dhe duhet të justifikohen me fatura të nënshkruara nga vetë zyrtari.

Përveç shpenzimeve për dreka, një zëvendësministër ka të drejtë të udhëtojë edhe brenda apo jashtë vendit me mbulim të plotë nga buxheti i shtetit. Por, brenda muajit, nuk mund të mbulohen më shumë se 7 ditë udhëtimi brenda vendit, pavarësisht kohëzgjatjes së tyre. /Kallxo