Gjatë natës së mbrëmshme, Napoli e fitoi Serie A-në për herë të katërt në historinë e tij.
Napoletanët fituan 2-0 ndaj Cagliarit, për ta siguruar titullin në javën e fundit të kampionatit, me 82 pikë, kundrejt 81 të Interit, që po ashtu mbrëmë fitoi 2-0 ndaj Comos në udhëtim.
Për Napolin, golat i shënuan Scott McTominay dhe Romelu Lukaku. Golin e këtij të fundit e asistoi kapiteni i komëbtares së Kosovës, qendërmbrojtësi Amir Rrahmani.
Për Amirin, ky është titulli i dytë në Serie A, pasi paraprakisht e kishte fituar më 2022/23, po ashtu me Napolin.
Por, Rrahmani nuk është shqiptari i parë që e ka fituar titullin e kampionit në elitën e futbollit italian.
Së pari, këtë e kishte arritur Naim Kryeziu i ndjerë, i cili ishte me prejardhje nga Kosova, më saktësisht nga Gjakova.
Këtë ai e kishte arritur në sezonin 1941/42 me Romën.
Pas tij, shqiptari tjetër që fitoi një titull kampioni në Itali ishte Giacomo Vrioni me Juventusin, në sezonin 2019/20.
Derisa në sezonin 2023/24, ishte Kristjan Asllani me Interin, që u bë shqiptari i katërt që triumfon në Serie A./GazetaExpress/