Në këtë intervistë TenTen te Podkasti Suzanne që së shpejti fillon sezonin e ri në T7, prizrenlia dhe drejtori i fondacionit Lumbardhi Ares Shporta reflekton mbi (ri)ndërtimin e një institucioni kulturor në Kosovë—jo vetëm si një strukturë e ngurtë, por si një hapsinë në zhvillim, e formësume nga kujtesa dhe bashkëpunimi.
Me një ton të qetë, por të qartë, Ares Shporta na ka fol për punën e tij—pak metodik, pak i përqendrum. Si drejtor i Fondacionit Lumbardhi dhe një qendre të ndërlidhun kulturore, ai i ka kalu dhjetë vitet e fundit tu navigu se çka do të thotë me mbajt gjallë një institucion kulturor në një vend ku e kalumja hala shihet si diçka e pazgjidhun dhe e ardhmja shpesh duket si diçka e paqartë. Ndërtesa e Lumbardhit osht në prag të një renovimi të shumëpritun, por Aresi e sheh këtë si një tjetër dëshmi të historisë së qëndrueshmënisë së Lumbardhit: të dëgjimit të kujdesshëm, përshtatjes së ngadaltë dhe krijimit të një hapësine krijuse ku të tjerët mujn mu bashku. Filmat janë, në thelb, çashtje vëmendjeje—dhe Aresi e ka përvetësu këtë art si përpara, ashtu edhe mas ekranit të madh.
Në këtë intervistë për TenTen, Aresi reflekton mbi një dekadë të formësimit të një hapësine kulturore në Prizren, kryeqytet i Dokufestit—në mes të një shoqnie në fluks të vazhdushëm; për hyrjen e tij të ngadaltë në produksion filmi së bashku me shoqen e tij të ngushtë Kaltrina Krasniqi, dhe për sfidën e vështirë mu kanë shpresëplotë pau kanë naiv. Ai flet për renovimin e gjatë (ndoshta pak më shumë se sa pritet) të Kinemasë Lumbardhi jo me dëshprim, por me pragmatizëm, dhe kur e pyetem për heronjtë e tij, nuk përmendi emra të mdhaj, por përkulet ndaj ekipit të njerëzve që kanë punu me pasion me të—dhe ndaj çikës së tij, Hidra, prej së cilës ende mëson.
Shporta nuk operon me të vërteta absolute. Dhe kjo mundet me qenë një fuqi e madhe, në një peizazh politik e kulturor të zhytur në absolutizma…
Intervistën e plotë e lexoni këtu: https://substack.com/home/post/p-164231774?source=queue