Merkatoja e transferimeve po nxjerr në pah një protagonist të ri: Julián Álvarez.
Pas një sezoni të jashtëzakonshëm te Atlético Madrid, ku shënoi 29 gola dhe u bë një pjesë kyçe e sulmit të Simeones, sulmuesi argjentinas ka tërhequr interesin e tre gjigantëve europianë.
Arsenal, Liverpool dhe Bayern Munich po ndjekin nga afër situatën e tij, të gatshëm të garojnë për shërbimet e tij në rast se klubi madrilen hap derën për një shitje të mundshme.
Edhe pse Atlético e konsideron Álvarez një aset të çmuar, nuk përjashtohet mundësia për të përfituar financiarisht nga një ofertë që tejkalon investimin e bërë për ta marrë nga Manchester City.
Emri i Álvarez ka hyrë fuqishëm në zyrat e klubeve më të mëdha, dhe kjo nuk është rastësi. Aftësia e tij për të shënuar, fleksibiliteti ofensiv dhe fryma konkurruese e bëjnë atë një nga profilët më tërheqës në treg.
Në Gjermani, Bayern e sheh transferimin e tij si pjesë të një plani strategjik afatgjatë, duke konsideruar që ai mund të bashkëjetojë në formacionin titullar me Harry Kane, ose edhe të zërë vendin e tij në të ardhmen. Ndërkohë, në Premier League, Arsenal dhe Liverpool po analizojnë përfshirjen e tij nga këndvështrime të ndryshme: ‘topçinjtë’ kërkojnë një golashënues të besueshëm që mund të përshtatet me dinamikën e tyre sulmuese, ndërsa ekipi i Anfield mund të përfitojë nga një operacion që ndoshta përfshin edhe Darwin Núñez.
Duket se verën e pret shumë lëvizje për sulmuesin argjentinas. Pavarësisht ndikimit të menjëhershëm te Metropolitano, mundësia që Atlético ta transferojë nuk përjashtohet nëse arrin një ofertë afër 100 milionë euro. E ardhmja e Álvarez mund të zgjidhet shpejt, ndërkohë që pretendentët po përgatitin propozimet e tyre për të tunduar klubin madrilen dhe për të bindur golashënuesin.