string(61) "bllokada-institucionale-ve-ne-rrezik-miliona-euro-per-komunat"

Lajme

Gazeta Express

24/05/2025 8:36

Bllokada institucionale vë në rrezik miliona euro për komunat

Lajme

Gazeta Express

24/05/2025 8:36

Moskonstituimi i institucioneve në Kosovë po rrezikon seriozisht zhvillimin ekonomik të komunave dhe njëherësh humbjen e dhjetëra milionë eurove nga fondet ndërkombëtare.

Kështu paralajmëroi në intervistë për Ekonomia Online drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi.

Ai tha se moskonstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës ka pasoja të drejtpërdrejta për komunat, si në aspektin financiar, ashtu edhe legjislativ.

“Edhe te komunat mosfunksionalizimi i institucioneve qendrore do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë.

Së pari në aspektin financiar, ku marrë parasysh që BE-ja i ka paraparë disa qindra miliona euro për Planin e Rritjes, ku nëse Kosova nuk e konstituon Parlamentin, atëherë këto mjete financiare mund të mos merren.

Shumica absolute të atyre mjeteve janë të dedikuara për komunat e Kosovës. Janë të parapara investime në infrastrukturë lokale, në digjitalizim, në ngritje të kapaciteteve e të tjera. Kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në komunat e Kosovës”, tha ai.

Ibrahimi shtoi se investimet e parapara në infrastrukturë lokale, digjitalizim dhe ngritje të kapaciteteve janë në pikëpyetje, ndërkohë që mungesa e institucioneve pengon edhe miratimin e ligjeve kyçe për funksionimin komunal.

Në këtë situatë, tri komuna, Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku, sipas tij, pasi nuk kanë arritur të aprovojnë me kohë buxhetet e tyre, tani si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, janë të detyruara që edhe këtë vit të mbështeten në buxhetin e vitit paraprak dhe të mos zbatojnë projekte të reja.

“Moskonstituimi i parlamentit dhe qeverisë gjithashtu do të sjellë pasoja sa i përket mosamandamentimit të shumë ligjeve të cilat janë tejet të rëndësishëm për komunat, siç është projektligji për financa lokale, projektligji për prokurim publik, projektligji për prokurim publik, projektligji për planifikim hapësinor. Të gjitha këto ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të komunave.

Moskonstituimi i parlamentit gjithashtu është një problem edhe për tri komunat, të cilat nuk kanë mundur që me kohë t’i aprovojnë buxhetet e tyre, siç janë komuna e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut.

Dhe këtë vit, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, ata nuk mund të zhvillojnë apo të zbatojnë projekte të reja. Gjithmonë duhet të thirren në buxhetin e vitit paraprak. Duhet marrë parasysh që ky vit është edhe vit zgjedhor edhe në nivelin lokal dhe komunat me padurim e presin që sa më shpejt institucionet e nivelit qendror të konstituohen, në mënyrë që të rikthehet normaliteti i zhvillimeve të jetës”, tha ai.

Ibrahimi tërheq vëmendjen edhe për një rrezik të menjëhershëm humbjeje të 15 milionë eurove për komunat e Kosovës nga fondet e Komisionit Evropian, të dedikuara komunave të Republikës së Kosovës, në kuadër të thirrjes IPA III “EU for Good Governance”, për shkak të, siç e quajti, neglizhencës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

“Një ndër problemet që është ngritur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes komunave të Kosovës është edhe mundësia e humbjes së mjeteve financiare nga BE-ja deri në 15 milionë euro.

Kjo mundësi është bërë për shkak të neglizhencës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila nuk i ka marrë parasysh disa rekomandime të dala nga takimet me Komisionin Evropian sa i përket garantimit të skemës së performancës. 15 milionë euro ato mjete janë të dedikuara për komunat e Kosovës e jo për MAPL-në dhe për këtë arsye ne kërkojmë që niveli qendror, përkatësisht MAPL të jetë më transparente ndaj komunave në hartimin e projekteve që kanë përfitim komunat e Kosovës. Në këtë rast, MAPL-ja në takime që ka pasur me Komisionin Evropian, nuk i ka përmbushur kërkesat e BE-së dhe është një rrezik potencial që komunat e Kosovës si pasojë e papërgjegjësisë institucionale të MAPL-së mund t’i humbasin deri në 15 milionë euro e që këta miliona euro së bashku me mjetet financiare nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim, nga SIDA suedeze, nga Ambasada Norvegjeze, kanë pasur një impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, por gjithashtu edhe në përmirësimin e jetës së qytetarit”, tha për EO Ibrahimi.