string(71) "heung-min-son-me-plage-lufte-nga-trofeu-i-europa-league-ja-ku-me-goditi"

Sport

Gazeta Express

23/05/2025 18:57

Heung-min Son me “plagë lufte” nga trofeu i Europa League: Ja ku më goditi!

Sport

Gazeta Express

23/05/2025 18:57

Kapiteni i Tottenham, Heung-min Son, nuk e përfundoi festën e fitores pa një kujtim të veçantë – një plagë mbi vetullën e djathtë, të cilën e mori gjatë ngritjes së trofeut të Europa League në Bilbao. Pas fitores historike 1-0 kundër Manchester United, që i dha fund pritjes 17-vjeçare për një trofe, Son u lëndua aksidentalisht gjatë festimeve të zjarrta.

“Shikoni këtë!”, u shpreh sulmuesi koreano-jugor në një video të postuar nga klubi në rrjetet sociale, teksa mbante flokët lart për të treguar prerjen mbi syrin e djathtë.

“Isha duke ngritur trofeun, dikush më shtyu dhe e përplasa kokën te trofeu!”, shpjegoi ai me buzëqeshje.

Pavarësisht shenjës së dukshme, Son nuk e la dëmtimin t’i prishë gëzimin dhe vazhdoi të festonte me tifozët në fushë, i buzëqeshur dhe i entuziazmuar. Në postimin e Tottenham thuhej me humor: “Ia vlejti.”

Pas ndeshjes, Son foli për arritjen e madhe dhe tha se më në fund mund të quhet “legjendë” e klubit.

“Të themi se jam një legjendë. Pse jo?”, tha ai për “TNT Sports”.

“Vetëm për sot! 17 vjet pa trofe, dhe sot, me këta lojtarë të mrekullueshëm, ndoshta mund të quhem legjendë e klubit. Kjo ka qenë gjithmonë ëndrra ime. Sot ajo u realizua. Jam njeriu më i lumtur në botë.”

Goli i vetëm i finales u shënua nga Brennan Johnson, ndërsa Micky van de Ven shpëtoi ekipin me një ndërhyrje vendimtare në fundin e ndeshjes, duke vulosur një natë të paharrueshme për Spurs dhe për Son personalisht./GazetaExpress/