Aktori i njohur i humorit, Elvis Pupa dhe bashkëshortja e tij Belina Pupa, akuzohen për kultivimin e 43 bimëve kanabisi në një banesë në Ascot Park të Australisë.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Belina Pupa është arrestuar nga autoritetet australiane, ndërsa aktori është shpallur në kërkim, pasi thuhet se është larguar nga Australia, ku ata jetojnë prej vitesh.
Belina Pupa ka dalë në Gjykatën Magjistrale të Adelaide, por ende nuk ka paraqitur ndonjë deklaratë fajësie për dy akuza, një për kultivimin e kanabisit dhe një për ndërhyrje në furnizimin me energji elektrike pa leje.
Të martën më 20 maj, para gjyqtares Natalie Browne, avokati mbrojtjes kërkoi një lirim me kusht për Belina Pupën që t’i lejohej të udhëtonte jashtë vendit për arsye pune.
Kërkesa është refuzuar për shkak të seriozitetit të akuzave, ashtu edhe për shkak se partneri i saj, i bashkëpandehur, është ende në arrati.
Paraqitja e Belina Pupës në Gjykatë
“Ne po kërkojmë partnerin e të pandehurës dhe kemi informacione që ai është larguar nga vendi”, thanë gjykatësit.
Gjyqtarja mësohet se shtyu çështjen dhe e la Belina Pupën në liri me kusht që të paraqitet përsëri në gjykatë javën e ardhshme.
“Zonja Pupa është punonjëse sociale dhe terapiste me një biznes ndërkombëtar – ajo punon me klientë në të gjithë botën, kryesisht me prejardhje shqiptare,” tha avokati. “Klientela e saj ndodhet në Shqipëri, Amerikë dhe Australi. Ajo udhëton për rreth tre muaj çdo vit për të qëndruar në Shqipëri dhe zhvillon punën e saj edhe në media”, tha ai.
Sipas dokumenteve të gjykatës, të siguruara nga “The Advertiser”, Pupa dyshohet se ka kultivuar bimët e kanabisit nga data 1 janar deri më 4 prill të këtij viti.
39-vjeçarja ka mbi 80,000 ndjekës në Facebook dhe Instagram, ku poston përmbajtje që synon të ndihmojë njerëzit e të gjitha moshave të përmirësojnë mirëqenien, shëndetin fizik dhe atë psikologjik.
Në faqen e saj zyrtare, ajo përshkruan veten si një person me një përvojë të pasur në drejtimin dhe transformimin e shërbimeve të shëndetit mendor si në Shqipëri ashtu edhe në Australinë e Jugut.
Më tej thuhet se ajo ka qenë profesoreshë e drejtësisë në një universitet në Shqipëri, si dhe ka punuar në SHBA si agjente e pasurive të paluajtshme dhe në sektorin financiar. Po ashtu, ka ushtruar edhe si këshilluese familjare dhe shkollore në Adelaide.