Durrës – Një operacion i zhvilluar me masa të rrepta sigurie nga Policia e Durrësit ka çuar në prangosjen e shtatë individëve, mes tyre edhe tre persona me rrezikshmëri të lartë. Mes të arrestuarve është edhe i shumëkërkuari Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën “Akili”.
Plaku, i cili ishte arratisur në janar të këtij viti nga burgu italian i Anconas ku ndodhej për trafik ndërkombëtar narkotikësh, u lokalizua në një restorant luksoz në zonën e Gjirit të Lalzit. Ai ndodhej aty në shoqërinë e gjashtë personave të tjerë, të cilët u arrestuan po ashtu gjatë aksionit.
Operacioni u drejtua nga Drejtori i Policisë së Durrësit, Vilson Bala, i cili në një konferencë për shtyp deklaroi se arrestimi i “Akilit” përbën një sukses të madh për strukturat e rendit. Plaku është një emër i njohur për policinë shqiptare, pasi ka qenë objekt i disa atentateve të dështuara dhe është implikuar në veprimtari kriminale të shumta.
Së bashku me të u vunë në pranga edhe Flobens Meçja (43 vjeç), Voltan Xhani (39), Jugert Xhani (35), Oltion Hasani (38), Fatjon Qesja (36) dhe Alfred Hasanaj (45). Gjatë kontrollit të ushtruar në vendngjarje, uniformat blu sekuestruan katër armë zjarri tip pistoletë, të cilat ishin me fishekë në fole, gati për përdorim.
Policia ka bërë publike edhe pamjet e aksionit të zhvilluar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal të të arrestuarve dhe lidhjeve të tyre të mundshme në Shqipëri dhe jashtë saj.