Zvonimir Boban po përgatit çdo ditë formacionin për sezonën e re, dhe ditët e fundit, drejtori i ardhshëm i Dinamos ka rikthyer në klub edhe një emër tjetër të njohur.
Skauti i ri i Dinamos do të jetë legjendari ish-futbollisti i njohur shqiptar, Kujtim Shala. Dikur ikonë e tifozëve të klubit kroat, ai rikthehet zyrtarisht në Dinamo për herë të parë që nga viti 1991, kur nga Maksimiri u transferua te Rennes në Francë.
Shala prej vitesh jeton në Gjermani. Këtë periudhë ai ndodhej në Zagreb, ku ka rënë dakord me Bobanin për detyrat që do të ketë në të ardhmen.
Dinamo, në nëntor të vitit 2024, e kishte forcuar sektorin e skautimit me ardhjen e Džemal Mustedanagić dhe Tomo Šokota, dhe tani këtij departamenti i shtohet edhe Kujtim Shala.
Drejtori sportiv Dario Dabac do të mbikëqyrë punën e skautëve, por ende nuk dihet në cilin treg do të fokusohet Shala për të gjetur lojtarë për Dinamon.
Po ashtu nuk është e qartë nëse ai do të merret me zbulimin e talenteve të rinj për shkollën e të rinjve apo me përforcime për ekipin e parë të klubit nga Zagrebi. Megjithatë, pas 34 vitesh mungesë, Shala më në fund rikthehet në Dinamon e tij.