string(92) "irani-thote-se-do-ta-mbaje-shba-ne-pergjegjese-nese-izraeli-sulmon-objektet-e-tij-berthamore"

Lajme

Gazeta Express

22/05/2025 15:48

Irani thotë se do ta mbajë SHBA-në përgjegjëse nëse Izraeli sulmon objektet e tij bërthamore

Lajme

Gazeta Express

22/05/2025 15:48

Shtetet e Bashkuara do të mbajnë përgjegjësi ligjore në rast se Izraeli kryen sulm ndaj objekteve bërthamore të Iranit, ka thënë të enjten ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi.

Araqchi reagoi pasi CCN raportoi se Izraeli mund të jetë duke u përgatitur për të kryer sulme në Iran.

Irani dhe SHBA-ja, aleatja më e madhe e Izraelit, do ta zhvillojnë rundin e pestë të bisedimeve bërthamore të premten në Romë.

Uashingtoni thotë se pasurimi i uraniumit nga Irani mund të përdoret për të zhvilluar bomba bërthamore, por Teherani e mohon këtë.

Duke cituar burime të inteligjencës, CNN raportoi të martën se nuk është ende e qartë nëse Izraeli ka marrë vendim përfundimtar për ndonjë veprim ushtarak, dhe se zyrtarët amerikanë kanë mendime të ndryshme nëse izraelitët do të vendosin në fund për ta sulmuar Iranin.

“Irani e paralajmëron fuqishëm regjimin sionist të Izraelit kundër çdo aventure. Dhe, [ne] do të përgjigjemi në mënyrë vendimtare ndaj çdo kërcënimi apo veprimi të paligjshëm nga ky regjim”, tha Araqchi në një letër drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Araqchi tha se Irani do ta cilësojë Uashingtonin si “pjesëmarrës” në çdo sulm të tillë, dhe se Teherani do të detyrohet të marrë “masa të veçanta” për t’i mbrojtur objektet dhe materialet e tij bërthamore, nëse kërcënimet vazhdojnë.

Sipas tij, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) do të njoftohet më pas për këta hapa.

Megjithëse Araqchi nuk tregoi se cilat masa po shqyrtoheshin, një këshilltar i liderit suprem të Iranit tha në prill se Teherani mund të pezullonte bashkëpunimin me IAEA-n ose ta transferonte materialin e pasuruar në vende të sigurta dhe të panjohura.

Në një deklaratë të publikuar të enjten, Garda Revolucionare e Iranit paralajmëroi se Izraeli do të përballet me një “përgjigje shkatërruese dhe vendimtare” nëse e sulmon Iranin.

“Ata po përpiqen të na trembin me luftë, por po keqllogarisin sepse nuk janë të vetëdijshëm për mbështetjen e fuqishme popullore dhe ushtarake që republika islamike mund ta mobilizojë në kushte lufte”, tha zëdhënësi i Gardës, Alimohammad Naini.

Dështimi i bisedimeve SHBA-Iran ose një marrëveshje e re bërthamore që nuk i adreson shqetësimet izraelite për zhvillimin e armëve bërthamore nga Irani përmes pasurimit, mund ta nxisin Izraelin për ta sulmuar armikun e tij kryesor rajonal, thonë diplomatët.

Të martën, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se SHBA-ja po e “tepron” me kërkesën e saj që Teherani ta ndalë pasurimin e uraniumit. Ai madje shprehu dyshime nëse bisedimet për një marrëveshje të re bërthamore do të kenë sukses.

Teherani këmbëngul se programi i tij i energjisë bërthamore është ekskluzivisht për qëllime civile.

Irani dhe Izraeli janë përfshirë në shkëmbime të drejtpërdrejta zjarri vitin e kaluar, në prill dhe tetor, duke rritur rrezikun e një konflikti rajonal. /REL/