string(78) "policia-me-ndihme-te-fsk-se-shpeton-dy-shtetase-te-huaja-ne-bjeshket-e-kosoves"

Lajme

Gazeta Express

22/05/2025 9:20

Policia, me ndihmë të FSK-së, shpëton dy shtetase të huaja në bjeshkët e Kosovës

Lajme

Gazeta Express

22/05/2025 9:20

Policia e Kosovës tha se në orët e para të mëngjesit ka shpëtuar dy shtetase të huaja në bjeshkët e fshatit Gotovushë të Shtërpcës.

Policia tha se ato nga Brezovica ishin nisur për një ecje malore në bjeshkët e Sharrit, ndërsa më pas e kishin humbur rrugën.

“Më datë 21.05.2025, rreth orës 08:00 të mëngjesit, dy shtetase të huaja, të cilat po qëndronin në hotelin “Luboteni” në Brezovicë, janë nisur për një ecje malore në bjeshkët e Sharrit. Gjatë rrugëtimit të tyre, për shkak të kushteve të vështira dhe terrenit të panjohur, ato kanë humbur rrugën”, njofton Policia.

“Rreth orës 20:50, Policia Rajonale e Ferizaj, respektivisht Stacioni Policor në Shtërpcë ka pranuar një informatë se dy alpinistet kishin humbur rrugën dhe ndodheshin diku në zonën malore të Sharrit, por pa ditur saktësisht vendndodhjen e tyre. Përmes një audio incizimi, ato kishin treguar gjendjen e tyre të rënduar dhe pamundësinë për të vazhduar më tej”, thuhet në njoftim.

Policia e Ferizajt tha se menjëherë ka ndërmarrë “veprimet e nevojshme, duke aktivizuar njësitë relevante dhe duke kërkuar ndihmën e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe Shërbimit të Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës”.

“Pas disa orësh kërkimesh intensive dhe përpjekjeve të koordinuara, më 22.05.2025, rreth orës 03:00, dy shtetaset e huaj janë gjetur në bjeshkët e fshatit Gotovushë”, thuhet në njoftim.

Ato u transportuan menjëherë me autoambulancë në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë. Sipas mjekëve, Policia njoftoi se “gjendja e tyre është stabile, përveç një lëndimi të lehtë në këmbë tek njëra prej tyre”.

“Policia Rajonale e Ferizajt shpreh falënderim të thellë për angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjitha strukturave të përfshira në këtë operacion, në veçanti Shërbimin e Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, njësitë policore të të gjitha niveleve, qytetarët dhe të gjithë ata që kontribuuan në gjetjen dhe shpëtimin e suksesshëm të dy alpinisteve”.