Ish-ambasadori dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, ka komentuar vizitën e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke e lidhur atë ngushtë me situatën politike në vend dhe me të ardhmen e dialogut Kosovë–Serbi.
“Ka qenë e ditur se posa të krijohet Qeveria e re, dialogu do të rikthehej në agjendë,” deklaroi Arifi, duke nënvizuar se formimi i institucioneve të reja ishte kusht për rifillimin e procesit të bisedimeve me ndërmjetësimin e BE-së.
Megjithatë, në mungesë të qeverisë së re, Arifi paralajmëron se Brukseli mund të ndjekë rrugë alternative.
“Qeveria e re nuk po formohet dhe është e mundur që BE do të insistojë që t’i rikthehet temës në forma të tjera,” tha ai për FrontOnline duke ngritur shqetësime për mundësinë e ndryshimit të qasjes së BE-së ndaj Kosovës në këtë proces.
Sipas Arifit, vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet deklaratës së Kallas për një qasje të re në raport me dialogun.
“Kallas ka paralajmëruar qasje të re, andaj është tejet me rëndësi çka nënkupton ajo qasje,” tha ai.