“Bashkimi Sovjetik ende ekziston nga pikëpamja juridike, pasi shpërbërja e tij në vitin 1991 është bërë në kundërshtim me procedurat kushtetuese”. Kështu deklaroi Anton Kobjakov, këshilltari i presidentit rus Vladimir Putin, raportoi agjencia ruse e lajmeve TASS.
“Sipas ekspertëve të së drejtës kushtetuese, përfshirë ata nga vendet perëndimore si SHBA-ja dhe Franca, Bashkimi Sovjetik nuk është shpërbërë në mënyrë të ligjshme. Kongresi i deputetëve popullorë – i njohur gjithashtu si Kongresi i Sovjetëve – ishte organi që krijoi Bashkimin Sovjetik në vitin 1922 dhe vetëm ai kishte kompetencën për ta shpërbërë atë. Duke qenë se kjo procedurë nuk u ndoq, atëherë Bashkimi Sovjetik vazhdon të ekzistojë nga pikëpamja juridike”, shpjegoi Kobjakov.
Kobjakov kritikoi gjithashtu legjitimitetin e të ashtuquajturve Marrëveshje të Belovezhskaya-s, të cilat shpesh përmenden si baza për shpërbërjen e SSSR-së. “Nga këndvështrimi juridik, këto marrëveshje janë plotësisht të diskutueshme”, u shpreh ai.
Sipas tij, ratifikimi i marrëveshjes nga parlamentet e Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë ishte një tejkalim i kompetencave të tyre. “Nëse Bashkimi Sovjetik nuk është shpërbërë në mënyrë të ligjshme, atëherë, për shembull, kriza në Ukrainë mund të trajtohet si çështje e brendshme dhe jo si konflikt ndërkombëtar”, përfundoi Kobjakov. /Index.hr