Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur në sonte në orët e vona në Beograd, Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, me të cilën ka zhvilluar një bisedë të hapur rreth temave kyçe gjeopolitike, sigurisë rajonale, rrugës evropiane të Serbisë dhe dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Në një deklaratë pas takimit, Vuçiq theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj një dialogu konstruktiv me Kosovën, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duke e konsideruar këtë si mënyrën e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura mes dy palëve.
Ai ritheksoi se mbrojtja e popullit serb në Kosovë është “prioritet absolut” për shtetin serb.
Presidenti serb nënvizoi gjithashtu rëndësinë e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se ky është “detyrim” për të cilin janë marrë vesh dhe një “parakusht për përparimin e mëtejmë të dialogut dhe për çdo normalizim të mundshëm të marrëdhënieve”.
Temë tjetër diskutimi ishte përafrimi i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Serbisë me atë të Bashkimit Evropian. Vuçiq u shpreh i bindur se Serbia, si një vend që synon anëtarësimin në BE, ka potencialin për të kontribuar në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe vlerave të përbashkëta evropiane, duke ruajtur njëkohësisht interesat e saj jetike kombëtare.
“Serbia mbetet një partner i besueshëm për të gjithë ata që sinqerisht punojnë për bashkëpunim, përparim dhe një të ardhme të përbashkët evropiane,” përfundoi Vuçiq.