Zyrtarët shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar kanë ngritur alarmin pasi një sëmundje “paralizuese” dhe potencialisht vdekjeprurëse, e përhapur nga mushkonjat, është zbuluar për herë të parë tek insektet në Britani.
Virusi i Nilit Perëndimor, i cili zakonisht gjendet në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, është zbuluar te mushkonjat në qarkullim në Nottinghamshire, duke nxitur frikën për infektim tek njerëzit.
Deri tani nuk janë raportuar raste të transmetimit lokal në Britani, por që nga viti 2000 ka pasur shtatë raste të importuara nga udhëtarë.
Ky virus zakonisht qarkullon mes zogjve dhe mushkonjave që ushqehen prej tyre, por në raste të rralla mund të kalojë te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave.
Ekspertët kërkojnë vigjilencë dhe investim në përgatitje afatgjatë
“Ky është momenti për të pranuar se Mbretëria e Bashkuar nuk është më imune ndaj disa sëmundjeve që më parë konsideroheshin tropikale,” tha profesori James Logan, specialist për sëmundje të përhapura nga mushkonjat në London School of Hygiene & Tropical Medicine – transmeton GazetaExpress..
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në MB (UKHSA) theksoi se rreziku për publikun mbetet “shumë i ulët” dhe virusi “nuk përhapet lehtë mes njerëzve.” Megjithatë, janë forcuar masat për monitorimin dhe kontrollin e mushkonjave.
Zyrtarët e shëndetësisë identifikuan virusin në dy mushkonja të llojit Aedes vexans – një specie vendase britanike – në zonat e lagështa pranë lumit Idle, afër fshatit Gamston në Nottinghamshire. Mostrat janë marrë në vitin 2023 dhe përbëjnë rastin e parë të konfirmuar të virusit te mushkonjat në Britani.
Simptomat dhe rreziku për jetën
Rreth një në pesë persona të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor zhvillojnë simptoma si temperaturë, dhimbje koke dhe një skuqje me njolla që shfaqet në bust, kokë, qafë, gishta dhe këmbë. Këto simptoma mund të zgjasin nga disa ditë deri në disa javë.
Në më pak se një për qind të rasteve, sëmundja mund të përparojë në një formë të rëndë të quajtur sëmundja neuroinvasive e Nilit Perëndimor (WNND), ku virusi infekton trurin, duke shkaktuar encefalit (pezmatim të trurit), konvulsione, çorientim, paralizë dhe koma.
Nga pacientët me WNND, rreth 3–15% vdesin, zakonisht si pasojë e dështimit të funksioneve jetike për frymëmarrjen.
Në rrezik më të madh janë fëmijët e vegjël, të rriturit mbi 50 vjeç dhe personat me sistem imunitar të dobët.
Rasti tronditës i një sportisti amerikan
Një nga rastet më të rënda është ai i Fabio Caruso, ish-kampion i mundjes profesioniste në SHBA. Ai u pickua nga një mushkonjë mbartëse e virusit në vitin 2023, ndërkohë që po shërohej nga një transplant i veshkës dhe kishte imunitet të dobësuar.
Gjendja e tij u përkeqësua shpejt – u paralizua nga trungu e poshtë, pati dështim të frymëmarrjes dhe përfundoi në ventilator për të mbijetuar. Për më shumë se dy muaj vuajti nga temperaturë e lartë dhe humbje kujtese. Vetëm në korrik u lejua të kthehej në shtëpi te gruaja dhe vajza e tij.
Çfarë mund të bëni për t’u mbrojtur?
Autoritetet këshillojnë që:
Të përdorni spray anti-mushkonjë.
Të vishni rroba me mëngë të gjata dhe pantallona gjatë mbrëmjeve dhe mëngjeseve herët — kur mushkonjat janë më aktive.
Të eliminoni ujin e ndenjur rreth shtëpisë, pasi aty shumohen mushkonjat.
Klima, një faktor i rëndësishëm
Dr. Arran Folly, virolog në Agjencinë Qeveritare për Shëndetin e Kafshëve dhe Bimëve, tha se ardhja e virusit në Britani është një tjetër tregues i ndikimit të ndryshimeve klimatike, që po u hap rrugë sëmundjeve të reja në zona më të freskëta.
West Nile virus është identifikuar për herë të parë në Ugandë, në vitin 1937. Në SHBA u shfaq për herë të parë në vitin 1999 dhe tani shkakton rreth 2,000 raste në vit, me rreth 120 viktima.
Mbikëqyrja e vazhdueshme dhe ndërgjegjësimi publik janë thelbësorë për të kufizuar rrezikun në të ardhmen. /GazetaExpress/