string(90) "investimet-ne-infrastrukturen-e-re-portuale-delegacioni-francez-takim-ne-portin-e-durresit"

Shqiperi

Gazeta Express

21/05/2025 17:49

Investimet në infrastrukturën e re portuale, delegacioni francez takim në portin e Durrësit

Shqiperi

Gazeta Express

21/05/2025 17:49

Një delegacion prej dyzet përfaqësuesish të Institutit të Studimeve të Avancuara në Ministrinë e Brendshme franceze, zhvilluan ditën e djeshme në ambientet e Portit të Durrësit, sesionin e 36-të mbi sigurinë dhe drejtësinë kombëtare.

Kryefjalë e këtij takimi ishin çështje të sigurisë portuale dhe investimet në këtë kuadër, në projektet e infrastrukturës së re portuale në kompleksin Durrës-Porto Romano.

Delegacioni francez u prit nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës Kreshnik Bajraktari, i cili mbajti dhe fjalën e mirëseardhjes si dhe kreu i Forcës së Sigurisë Portuale, Alfred Velaj.

Në hapje të këtij takimi, Velaj bëri një prezantim mbi kapacitetet dhe perspektivën e kompleksit portual Durrës-Porto Romano, vizionin e tij zhvillimor me qëllim konsolidimin e funksionit ndërlidhës së vendit tonë si dhe zgjerimin e gjurmës rajonale për të avancuar në bashkëpunimin dhe marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare, duke theksuar edhe strategjitë për tejkalimin e sfidave në këtë drejtim.

Modernizimi dhe automatizimi i fasiliteteve operacionale, transformimi i infrastrukturës detare, rrjetëzimi i ndërlidhjeve të reja logjistike rajonale si dhe rritja e standardeve të sigurisë portuale nëpërmjet implementimit të teknologjive të avancuara, të cilat garantojnë mbikëqyrjen dhe administrimin efektiv të hapësirave portuale dhe përforcimin e termave të sigurisë në mbështetje të agjencive ligjzbatuese dhe forcave të Aleancës, në projektet e reja të industrisë detare në Durrës, ishin në fokus të diskutimeve të këtij sesioni.

Përfaqësuesit e delegacionit gjithashtu u prezantuan edhe me masat dhe planet e parashikuara në kompleksin e ri portual në drejtim të porteve të gjelbra dhe të qendrueshme nëpërmjet rivitalizimit të hapësirave të gjelbra në kuadër të përmirësimit të cilësisë së ajrit.

Ata u njohën me planet për riciklimin dhe menaxhimin e mbetjeve; investimet në energjinë e rinovueshme dhe të pastër; rinovimin e flotës me vinça elektrikë si dhe planet e reja për transportin e gjelbër dhe lëvizshmërinë në hapësirat e brendshme të portit etj..

Në vijim delegacioni u ndal për një vizitë njohëse në Qendrën Ndërinstitucionale të Monitorimit dhe Kontrollit të Sistemeve të Sigurisë ku ndoqën nga afër aplikimin e procedurave dhe funksionimin e sistemeve të implementuara për menaxhimin dhe survejimin efikas të territorit dhe terminaleve të portit.

Në përmbyllje të këtij takimi kreu i Autoritetit Portual Durrës, Bajraktari i falenderoi përfaqësuesit francezë për vizitën në Portin e Durrësit duke nënvizuar gatishmërinë e institucionit, të cilin ai drejton për intensifikimin e bashkëpunimit të frytshëm tashmë të konfirmuar ndërmjet strukturave respektive.

Ndërkohë që delegacioni francez shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për bashkëpunimin e suksesshëm që kanë pasur deri më tani me Portin e Durrësit duke garantuar mbështetjen dhe angazhimin për vijimësinë dhe thellimin e këtij bashkëpunimi afatgjatë, në kuadër të së cilit i dorëzuan Bajraktarit edhe simbolin e Institutit të Studimeve të Avancuara Franceze.