Kryetari i degës së AAK-së në Prizren ka vlerësuar se lidhja e koalicionit parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate ka qenë gabim i rëndë. Për këtë arsye ka kërkuar falje nga votuesit dhe përkrahësit e AAK-së.
“Gabimi më i rëndë i kësaj periudhe ishte lidhja e një koalicioni të panatyrshëm me të majtët e Nismës Socialdemokrate. Ky bashkëpunim ishte një devijim nga vlerat dhe identiteti ynë politik – dhe për këtë përgjegjësinë e marrim ne, kryesia dhe kryetari së bashku”, është shprehur Krasniqi.
Sipas tij, Aleanca është një forcë politike e qendrës së djathtë, e ndërtuar mbi parime të qarta, mbi traditë kombëtare, përgjegjësi dhe integritet dhe se largimi nga këto vlera është një shkelje ndaj besimit të votuesve e përkrahësve të AAK-së.
“Personalisht dhe politikisht, kërkoj falje për këtë hap të gabuar. Ua kam borxh sinqeritetin dhe reflektimin. Zotohem se asnjëherë më nuk do të lejoj — dhe nuk do të jem pjesë — e koalicioneve që shkelin parimet e djathta dhe shijen tuaj politike”, ka bërë të ditur ai në rrjetet sociale.
Në të njëjtën kohë ka shprehur qëndrimin se Aleanca do të vazhdojë të forcohet si një zë i fuqishëm dhe i besueshëm i djathtës shqiptare. “E ardhmja jonë është në qëndrueshmëri, jo në pazare”.