Liria e shtypit në Serbi është në një gjendje alarmante. Gazetarët në këtë vend nuk po punojnë në kushte normale: ata po përballen me kërcënime, frikësime, përndjekje, sulme fizike dhe verbale – dhe shpesh, nga vetë autoritetet shtetërore. Në vend që të mbrohen, po shndërrohen në shënjestra të hapura në emër të “stabilitetit politik”.
Kështu nis një tekst në International Press Institute, rrjet global redaktorësh, drejtuesish të mediave dhe gazetarësh, rreth situatës alarmante të medias në Serbi.
Sipas këtij atikulli, paporti më i fundit i rrjetit Media Freedom Rapid Response (MFRR) konfirmon: “Liria e medias është në gjendje të jashtëzakonshme në Serbi.” Vetëm në vitin 2025, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS) ka regjistruar 123 incidente ndaj gazetarëve – përfshirë 15 sulme fizike, 71 raste presioni dhe 34 kërcënime verbale.
Më 17 maj, gjatë një tubimi të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në qytetin e Nishit, gazetari i SBS Australia, Nikola Doderovic, u ndalua dhe u mbajt për më shumë se një orë e gjysmë. Në të njëjtën ditë, gazetarja Tamara Radovanovic e portalit Juzhne Vesti u sulmua fizikisht, ndërsa policia largoi atë – jo agresorin – duke e penguar të raportojë.
“Pas çdo sulmi, duket se agresorët mbrohen më shumë se viktimat”, tha Veran Matić, drejtues i bordit të Shoqatës së Mediave Elektronike të Pavarura (ANEM).
Sulme të njëpasnjëshme në terren
Më 16 maj, kameramani i N1, Marjan Vucetiq, u godit pas shpine dhe u nxor me forcë nga një ngjarje e organizuar nga SNS në afërsi të Kosjeriçit. Po atë ditë, fotoreporteri Gavrilo Andric u ndalua për dy orë nga policia në Novi Sad ndërsa po mbulonte protestat qytetare.
Më 7 maj, vetëm pak ditë pas Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, kryeredaktorja e KoSSev, Tatjana Lazarevic, u përball me presione ndërsa filmonte protestues pro-qeveritarë. Ndërkohë, gazetari i Insajder TV, Stefan Miljush, u sulmua gjatë një tubimi për Ditën e Punës.
“Po përballemi me një përshkallëzim serioz – një lloj lufte kundër gazetarëve,” deklaron Matic.
Protesta, shpifje dhe kundër-protesta të kontrolluara nga shteti
Pas një tragjedie në Novi Sad, ku një stacion hekurudhor i sapo rinovuar u shemb dhe la 16 të vdekur, vendi u përfshi nga një valë protestash të udhëhequra nga studentët dhe të rinjtë. Autoritetet reaguan me shpifje, dhunë dhe etiketim të protestuesve si “tradhëtarë” dhe “agjentë të huaj”.
Në tubimin më të madh në historinë e Serbisë më 15 mars, gjatë një vigjilje 16-minutëshe në heshtje, një zhurmë e fortë shpërndau me panik protestuesit. Mbi 3000 qytetarë raportuan efekte shëndetësore, dhe organizatat e shoqërisë civile dyshuan se ishte përdorur një armë zanore – çka qeveria e mohoi, duke kërcënuar ata që “përhapin panik”.
Në fund të prillit, gjatë një vizite të Komisioneres Evropiane Marta Kos në Beograd, qeveria simulojë një proces demokratik për emërimet në Këshillin e REM – një organ rregullator që prej kohësh konsiderohet si instrument i qeverisë për të kontrolluar median. RTS, transmetuesi publik, kishte heshtur për muaj me radhë për protestat dhe i quajti studentët “nazistë”.
Presion ndaj gazetarëve edhe brenda mediave pro-qeveritare
Në një rast të paprecedentë, 78 gazetarë të Euroneës Serbia u distancuan publikisht nga një deklaratë zyrtare e redaksisë që dënonte protestat, duke e cilësuar atë si propagandë. Euroneës Serbia është në pronësi të Telekom Serbia, një kompani shtetërore e drejtuar nga aleatë të qeverisë.
Gazetarët e kësaj medie, sipas NUNS dhe Federatës Evropiane të Gazetarëve, po përballen me presione sistematike dhe cenim të standardeve profesionale.
Ndërkohë, gazetarë të pavarur vazhdojnë të përjashtohen nga mediat tradicionale. Dy redaktore veterane të gazetës Politika, Sandra Gucijan dhe Dorotea Čarnić, do të pushohen nga puna për shkak të mbështetjes që shprehën ndaj protestave – vetëm në rrjetet e tyre sociale.
Spiunimi dhe sulmet kibernetike ndaj gazetarëve
Përveç dhunës fizike dhe presioneve institucionale, gazetarët janë nën kërcënim të vazhdueshëm kibernetik. Në dhjetor 2024, Amnesty International publikoi prova se qeveria serbe përdorte softuerin Cellebrite për të survejuar gazetarët. Edhe pas pezullimit të softuerit, praktikat e paligjshme vazhduan.
Në mars 2025, Amnesty konfirmoi se dy gazetare të BIRN ishin shënjestruar me spyëare-in Pegasus. Të dyja kishin marrë mesazhe mashtruese me lidhje që, nëse klikoheshin, do të instalonin spyëare në telefon.
E ardhmja e medias në Serbi – drejt një errësire totale?
Arrestime arbitrare, sulme fizike, censurë e hapur dhe largime nga puna me motive politike – kjo është realiteti i medias në Serbi sot. Gjendja po përkeqësohet dita-ditës, ndërsa autoritetet po i ashpërsojnë goditjet ndaj zërave kritikë.
Pa solidaritet ndërkombëtar dhe presion të qartë nga BE-ja, liria e medias në Serbi rrezikon të zhduket plotësisht. Dhe me të, edhe vetë demokracia.