string(96) "paralajmerojne-politikane-dhe-eksperte-tregu-i-hapur-do-te-falimentoje-qindra-biznese-te-kosoves"

Lajme

Gazeta Express

20/05/2025 13:56

Paralajmërojnë politikanë dhe ekspertë: “Tregu i hapur” do të falimentojë qindra biznese të Kosovës

Lajme

Gazeta Express

20/05/2025 13:56

Nuk ka ndërmarrje, apo biznes, çfarëdo qoftë ai në Kosovë, që është futur nga KESCO në kategorinë e të përjashtuarve nga shërbimi universal, që do të ketë para të mjaftueshme për ta blerë megavat-orën e rrymës me 200 dhe 300 euro e përtej. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar një skemë mbështetëse nga shteti për prodhuesit vendor, ndërsa njohësi i politikave publike, Shenoll Muharremi ka kritikuar qeverinë për mënyrën si po trajton krizën energjetike, duke e quajtur ndihmën për bizneset “qesharake dhe të turpshme”. A ka mundësi që rritja e çmimit të rrymës të anulohet?

Dërgimi në të ashtuquajturin “tregu i hapur”, ose më drejtpërdrejt përjashtimi i shumë ndërmarrjeve nga shërbimi universal, respektivisht nga furnizimi me energji elektrike me çmime të rregulluara, tani është më se e qartë se do të ketë pasoja të patejkalueshme për qindra ndërmarrje dhe biznese të Kosovës.

Vendimi i ZRRE-së për ngritjen e çmimit të rrymës për 16,1 për qind, dhe dërgimi i ndërmarrjeve dhe bizneseve që kanë mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro në ‘treg të hapur”, i miratuar krykëput dhe vetëm në bazë të kërkesës së KESCO-s, pa debat të domosdoshëm paraprak dhe pa konsultim të duhur dhe të mirëfilltë me konsumatorët biznesor, thënë më së buti, do të ketë qenë në pozitë të vështirë, me pak gjasa për të zhvilluar afarizëm të stabilizuar dhe për të mbijetuar fare ekonomikisht qindra biznese të Kosovës. Thjesht, bizneset e Republikës, shumica e tyre, të kategorizuara nga KESCO ende pa filluar zbatimi i vendimit të ZRRE-së (1 qershori 2025) nuk kanë dhe nuk do të kenë potencë financiare për të blerë rrymën e shtrenjtë në “tregun e hapur”.

Nuk ka ndërmarrje, apo biznes, çfarëdo qoftë ai në Kosovë, që është futur nga KESCO në kategorinë e të përjashtuarve nga shërbimi universal, që do të ketë para të mjaftueshme për ta blerë megavat-orën e rrymës me 200 dhe 300 euro e përtej. Ndërkohë, pos këtij vendimi katastrofal për qindra biznese kosovare, KESCO ka përdorur një “hile” tjetër, po kështu me pasoja të frikshme për qindra biznese dhe të jashtëligjshme, dhe në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike. KESCO, pra, ka përjashtuar dhe po vazhdon të përjashtojë të gjitha ndërmarrjet nga shërbimi universal, edhe nëse nuk i përmbushin të dy kriteret (qarkullim nën 10 milionë euro, ose biznesi t’i ketë më pak se 50 punëtorë”), gjë të cilën nuk e kërkon Ligji, por i cili kërkon njërin ose tjetrin kriter për të përfituar nga shërbimi universal. Këtë “hile”, këtë mashtrim dhe manipulim të Ligjit për Energjinë Elektrike nga KESCO dhe heshtjen e ZRRE-së për këtë “hile”, e ka vërejtur fare mirë deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, dhe këto ditë e ka bërë publike.

Sipas saj, “KESCO është duke përjashtuar ndërmarrjet nga shërbimi universal – furnizim ky me energji elektrike me çmime të rregulluara nga ZRRE në kundërshtim me Ligjiin për Energjinë Elektrike, Nenin 37, paragrafi II. Sepse, Neni 37, paragrafi II thotë se për të qënë PËRFITUES i shërbimit universal duhet të përmbushësh njërin nga kriteret: OSE qarkullim nën 10 milionë Euro OSE biznesi t’i ketë më pak se 50 punëtorë, ndërkohë KESCO po i përjashton të gjitha ndërmarrjet nga shërbimi universal nëse nuk i përmbushin të dy këto kritere, gjë të cilën nuk e kërkon Ligji.

“Nëse Ligji e kërkon OSE njërin ose tjetrin kriter për të përfituar nga shërbimi universal, si ka mundësi se për përjashtim nga shërbimi universal përdoret EDHE njëri EDHE tjetri kriter. Nuk dihet nëse KESCO është duke e bërë këtë me instruksione të ZRRE-së, nga padijenia ose me qëllim, por një gjë dihet që si rezultat i këtij veprimi KESCO do të përballet me qindra padi pas datës 1 qershor”, ka paralajmëruar deputetja.

Ajo ka shtuar se “sipas të dhënave të shoqatave ekonomike në vend, kriteret sipas Nenit 37, për të dalë në të ashtuquajturin ”treg të hapur” i plotësojnë vetëm 300 kompani, jo 1300 që po i përjashton ZRRE-ja”.

“Dallimi në mes të ”OSE’ dhe ”EDHE” është dallim i madh në Ligj”, konstaton Hykmete Bajrami.

Duke u ofruar 1 qershori kur do të fuqizohet vendimi i ZRREsë dhe KESCO-s, dhe me gjasë nga presioni i opinionit dhe të bizneseve, më në fund, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, “është bërë e gjallë’ duke paralajmëruar një skemë mbështetëse nga shteti për prodhuesit vendorë. Ajo ka bërë të ditur se “Qeveria është në fazën përfundimtare të hartimit të një skeme të re mbështetëse për prodhuesit vendorë, me qëllim që t’i ndihmojë ata të përballen me sfidat e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Rizvanolli ka theksuar se kjo skemë po zhvillohet me mbështetjen e Agjencisë Luksemburgase për Zhvillim (LuxDev) dhe do të përfshijë: Izolimin e ndërtesave, Sisteme solare fotovoltaike për prodhimin e energjisë, Sisteme solare termike për ngrohjen e ujit, Bateri për ruajtjen e energjisë nga sistemet solare, si dhe Rregullatorë të fuqisë reaktive, që ulin konsumin dhe rrisin efiçiencën e pajisjeve ekzistuese.

“Kjo do të thotë më pak kosto për energji, më shumë konkurrueshmëri dhe siguri më të madhe për çdo biznes që prodhon në Kosovë”, ka theksuar Rizvanolli, duke shtuar se “Qeveria e Kosovës mbetet një partner i afërt i sektorit privat, si në përballjen me sfidat, ashtu edhe në rritjen e kapaciteteve të tij”.

Mirëpo, njohësi i politikave publike, dhe një nga zërat ngulmues të kundërshtimit të ngritjes së çmimit të rrymës në Kosovë, Shenoll Muharremi, ka kritikuar qeverinë për mënyrën si po trajton krizën energjetike, duke e quajtur ndihmën për bizneset “qesharake dhe të turpshme”. Ai ka thënë për medie të vendit se “rritja e faturave deri në 260% nuk kompensohet me masa si fasadat apo dritat efikase, ndërsa mungesa e konkurrencës në treg po dëmton rëndë ekonominë”.

”Krejt Mbrapsht me Energji”, tha ai, duke shtuar se “tash po del qeveria dhe po thotë “ju ndihmojmë ne prodhuesve”. E çka ju ndihmoni? Me i qit fasadat e me i ba dritat efikase? Ok, kjo është ndihmë e mirë, por sa ka efekt? Sa është përqindja e kursimit të energjisë me këto masa? Të themi 25% apo sa? E sa po rriten faturat? Bizneset po thonë që deri në 260%. Cila është ma e madhe, sa është dallimi mes 260% dhe 25%? Ndihma nënkupton mos me i diskriminu bizneset vendore. Me pas konkurrencë në oferta, siç e kërkon ligji… e jo operatori i njëjtë që e blen rrymën nga KEK (me resurse publike të prodhuar) me nga 29.5 euro/MWh e shkon jau shet bizneseve tona disa herë më shumë”, ka thënë Muharremi.

“Fundja, kostoja direkte e rritjes së faturave të energjisë sipas rritjes së të hyrave maksimale shkon mbi 100 milionë në vit. Kostoja indirekte inflacionare në ekonomi mundet me shku në 1 miliardë euro për familjet dhe ekonominë për disa vite. E tash sa janë qato grante për biznese që po përmenden? Njërin e kam pa para disa ditësh 1 milion euro, e tjetrin 4-5 milionë. Eh, kur e kupton që deficiti në mallra ka shku 500 milionë euro në muaj, aq para dalin, e kostoja e energjisë ka me e rritë importin edhe ma shumë… kjo ndihmë që u përmend dje nga qeveria është jo vetëm qesharake, por edhe një turp”, ka theksuar Shenoll Muharremi.

“Ka pas shumë mundësi dhe modalitete me parandalu rritjen e kostos së energjisë dhe një valë të re të inflacionit, por nuk është bë asgjë”, ka përfunduar ai.

Ndërkohë, Jeton Mehmeti, ish-kryetar i KOSTT-it, ka thënë për medie se ka mundësi që rritja e çmimit të rrymës mund të anulohet.

“Unë mendoj që ky vendim është para një akti të kryer. A mund të anulohet ky vendim? Natyrisht se po. Por pse s’po anulohet është se janë dy vendime, janë dy orientime: sepse në një vendim, ti e ke nxjerr biznesin në treg të lirë, vendimi për tarifat. Në momentin që është bërë shqyrtimi i tarifave dhe është marrë vendimi për tarifat, në këtë vendim e ka nxjerrë edhe biznesin në tregun e lirë. Pra duhet të anulohet vendimi për tarifat. A ka bazë ligjore apo jo që të bëhet kjo, unë nuk e di. A është e nevojshme të liberalizohet tregu? Po! Do të duhet të liberalizohet tregu. Edhe bizneset pajtohen që të liberalizohet tregu, por çka nënkupton tregu i lirë? Për momentin nënkupton diçka më ndryshe me vendet e rajonit. Marrëveshja e KEK-ut me KESCO dhe KEDS-in në këtë rast është ajo që nuk e bën joshës tregun e lirë as për qytetarin e as për biznesin, sepse e kemi një marrëveshje me një çmim jashtëzakonisht shumë të ulët në krahasim me çmimin e tregut”, u shpreh ish-kryetari i KOSTT-it, Jeton Mehmeti.

Ndër të tjera, ai thotë se procesi i shtrenjtimit të rrymës nuk ka qenë i planifikuar mirë nga ZRRE-ja. /Buletini Ekonomik