Për shkak të pamundësisë për të marrë dokumente personale të Kosovës, unë jam juridikisht dhe ligjërisht e padukshme, dhe për këtë arsye e privuar nga të drejtat themelore të njeriut – e drejta për punë dhe jetesë, e cila është e garantuar me Konventën për të Drejtat e Njeriut.
Shkruan Ivana Joksimoviq
Kur bëhet fjalë për dokumentet personale, përkatësisht letërnjoftimet, asociacioni i parë që kemi është se ky është dokument publik me të cilin një person vërteton identitetin e vet. Me vërtetimin e identitetit, personi ushtron të drejtat e garantuara me ligj. Për fat të keq, në Kosovë ekziston një problem përmasash të konsiderueshme, prandaj ka ende njerëz që nuk kanë dhe nuk mund të ushtrojnë të drejtën për t’u regjistruar në regjistrin civil dhe së këndejmi edhe për të marrë letërnjoftim. Ky problem është afatgjatë dhe zgjidhja e tij është kërkuar gjatë dekadës së fundit nga nivelet më të larta dhe nga aktorë të ndryshëm. Problemi i regjistrit civil dhe dokumenteve të udhëtimit dhe identifikimit u diskutua gjithashtu në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel. Por, statusi i të gjithë personave që nuk kanë letërnjoftim të Kosovës nuk është zgjidhur, së këndejmi edhe ushtrimi i së drejtës për të marrë dokumente identifikimi. Për fat të keq, ende ekziston një problem që bëhet gjithnjë e më alarmues me kalimin e kohës, kryesisht për personat nga komunitetet joshumicë në Kosovë.
Unë në Kosovë kam ardhur në vitin 2002 nga Serbia qendrore për t’i përfunduar studimet. Një vit më vonë, më 2003, gjej partnerin e jetës dhe qëndroj për të jetuar në territorin e Kosovës. Nga bashkësia jashtëmartesore në të cilin kam jetuar për 10 vjet kam dy fëmijë. Gjatë kësaj periudhe ishte e mundur nxjerrja e “letërnjoftimit të UNMIK-ut”.
Por, perceptimi si administratë e UNMIK-ut në komunitetin serb në atë kohë ishte shumë negativ, prandaj unë shmanga grumbullimin e dokumenteve personale që konsideroheshin “okupuese”. Beteja ime për nxjerrjen e dokumenteve të Kosovës filloi më vonë, në vitin 2014, dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Ka shumë pengesa për nxjerrjen e dokumenteve personale.
Në rastin tim, në rastin e një shtetaseje që nuk ka lindur në Kosovë, dhe të drejtën e shtetësisë mund ta fitojnë vetëm me natyralizim, një prej tyre është mosnjohja e dokumenteve që kam dhe që konfirmojnë qëndrimin tim në territorin e Kosovës, të lëshuar nga institucionet serbe që Kosova i konsideron paralele. Një nga dokumentet që më është kërkuar gjatë aplikimit për regjistrim në regjistrin qendror të shtetasve është certifikata e lindjes serbe me apostil. Institucionet e Republikës së Serbisë refuzojnë të nxjerrin dokument të tillë të certifikuar me qëllim të verifikimit të të dhënave personale në Kosovë, sepse dokumente të tilla përdoren në transportin publik ndërkombëtar, me çka ato do ta njihnin Kosovën si shtet sovran. Pastaj nevojitet të keni llogari në valutë të huaj dhe në të, në baza mujore, minimumi 500 euro të ardhura, gjegjësisht 6000 euro në vit. Por, përveç shumës së të ardhurave, ekziston edhe një pengesë paradoksale – nuk mund të hap llogari në ndonjë bankë të Kosovës pa letërnjoftim të Kosovës (pasaporta serbe për shtetasit që banojnë në Kosovë gjithashtu nuk njihet). Ka edhe dokumente të tjera, të cilat nuk njihen, por unë i kam renditur pengesat kryesore këtu.
Pra, edhe pse kam 23 vjet që jetoj në territorin e Kosovës, nuk mund të realizoj të drejtën që përmes natyralizimit të futem në regjistrin qendror të qytetarëve dhe të nxjerr dokumentet personale të Kosovës. Për shkak të pamundësisë për të marrë dokumente personale të Kosovës, unë jam juridikisht dhe ligjërisht e padukshme, dhe për këtë arsye e privuar nga të drejtat themelore të njeriut – e drejta për punë dhe jetesë, e cila është e garantuar me Konventën për të Drejtat e Njeriut. Ky shembulli im personal është thjesht një prej shumë sosh, sepse ka shumë njerëz që kanë problemin e njëjtë ose të ngjashëm me mua. Duhet të theksoj gjithashtu se problemet me lëshimin e dokumenteve nuk lidhen vetëm me personat që nuk janë të regjistruar në regjistrin civil të Kosovës, dhe siç e kemi parë nga shembulli i lejeve të vozitjes, problemi shpesh paraqitet edhe me dokumentet e udhëtimit.
Zgjidhja e këtij problemi është komplekse. Unë si një nga personat me këtë problem, do të doja të bëja sugjerime për zgjidhjen e këtij problemi, së pari, është e nevojshme të mundësohet njohja e dokumenteve origjinale të lëshuara nga institucionet serbe me një rregullore ligjore, pa vula dhe certifikata shtesë. Pastaj, nevojitet të ulet shuma monetare në bazë mujore, gjegjësisht në nivel vjetor që personi duhet të ketë në llogari si garantues. Në fund, personave që jetojnë në territorin e Kosovës, duke pasur dëshmi të vlefshme se ata kanë banuar atje për më shumë se pesë vjet, duhet t’u lejohet e drejta për të dëshmuar vendbanimin e tyre në mënyrë retroaktive që ata të mund të nxjerrin dokumentet personale sa më shpejt që të jetë e mundur. Këto ndryshime do t’i zgjidhnin problemet e shumë pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë që jetojnë në Kosovë, të cilët dëshirojnë të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë.
(Autorja është profesoreshë e historisë dhe punëtore e muzeut në Mitrovicën e Veriut. Ky publikim u bë i mundur në kuadër të projektit “Dialogu, zgjidhja, e ardhmja”, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, të zbatuar nga Iniciativa e Re Sociale (NSI) dhe Instituti për Politikë Sociale Musine Kokalari. Përmbajtja e këtij artikulli nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë).