Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Real Oëner”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Tiranës për vendosjen e sekuestros preventive mbi pasuritë e regjistruara në emër të babait të 34-vjeçarit Ismail Gjineci, i dënuar për trafikim të qenieve njerëzore.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë një apartament dhe dy automjete, me një vlerë totale rreth 228 mijë euro. Dyshohet se këto pasuri janë përfituar nga veprimtaria kriminale e Gjinecit dhe janë regjistruar në emër të babait të tij.
Hetimet vijojnë për identifikimin e aseteve të tjera që mund të jenë regjistruar në emër të personave të tjerë, me qëllim shmangien e ligjit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.