string(66) "rjeti-safejournalists-denon-ashper-sulmet-ndaj-gazetareve-ne-serbi"

Lajme

Gazeta Express

20/05/2025 7:30

Rjeti SafeJournalists dënon ashpër sulmet ndaj gazetarëve në Serbi

Lajme

Gazeta Express

20/05/2025 7:30

Rrjeti SafeJournalists ka dënuar me tone të ashpra disa incidente të ndodhura gjatë dhe pas Tubimit Mbarëpopullor të Partisë Progresive Serbe (SNS) në qytetin e Nishit, ku gazetarë dhe kameramanë që raportonin nga vendi i ngjarjes u shënjestruan dhe u sulmuan. Ky rrjet thekson se çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë.

Gazetarja e televizionit Nova, Ivana Markovic dhe kameramani Dejan Markovic, si dhe gazetarja e portalit Juzhne vesti, Tamara Radovanoviq, kanë qenë viktima të sulmeve fizike dhe verbale.

Gjithashtu është ndaluar dhe raportuesi i radios australiane SBS, Nikola Doderoviq, njëkohësisht doktorand në Fakultetin e Filozofisë në Nish, ndërsa po raportonte me kolegun e tij nga ngjarja.

Një ditë para tubimit kryesor, kameramani i televizionit N1, Marjan Vucetic, është sulmuar fizikisht në fshatin Makovište, teksa po përpiqej të filmonte një ngjarje ku ishte i pranishëm edhe kryetari i SNS-së, Miloš Vučeviq. Sipas Vucetiq, sulmi u nis nga kryetari i bashkësisë lokale, para syve të Vuceviq.

Ivana dhe Dejan Markoviq u sulmuan në qendër të Nishit, ku, sipas dëshmisë së tyre, u ofenduan, u shtynë dhe u thirr me megafon që të largoheshin. Ndërkohë, Tamara Radovanoviq u sulmua teksa po filmonte autobusat me mbështetës të pushtetit. Sulmuesi tentoi t’i rrëmbente telefonin, ndërsa policia në vend që ta mbronte, e largoi nga vendi i ngjarjes me arsyetimin “për të mos nxitur tensione”. Ndaj sulmuesit nuk u mor asnjë masë.

“Ky është edhe një rast tjetër ku policia dështoi të mbrojë gazetarët, duke lejuar që persona të tjerë t’i sulmojnë dhe të mos ndëshkohen për këtë,” thuhet në reagimin e SafeJournalists.

SafeJournalists thekson se është veçanërisht shqetësuese që gazetarëve të pavarur nuk iu lejua hyrja në zonën e rrethuar të ngjarjes kryesore, pasi akreditimet u dhanë vetëm për mediat pro-qeveritare. Kjo, sipas tyre, përbën diskriminim ndaj mediave dhe pengesë për të raportuar nga një ngjarje publike.

Rrjeti shpreh shqetësim të madh edhe për ndalimin dhe marrjen në pyetje të Nikola Doderoviq dhe kolegut të tij për motivet e raportimit, pa asnjë bazë ligjore, gjë që konsiderohet si formë frikësimi ndaj gazetarëve.

SafeJournalists kërkon reagim të menjëhershëm dhe efikas nga policia dhe prokuroria, identifikimin dhe ndjekjen penale të të gjithë sulmuesve.

“Kërkojmë nga Ministria e Brendshme që të ndalojë menjëherë praktikën e ndalimit të pajustifikuar të gazetarëve, të sigurojë sigurinë e tyre në terren dhe të krijojë kushte për raportim të lirë nga protestat dhe tubimet publike”, thuhet në deklaratë.

Ata kërkojnë që autoritetet të ofrojnë sqarime të qarta për çdo rast të ndalimit të gazetarëve dhe që policia të reagojë në përputhje me standardet profesionale dhe ligjet e Republikës së Serbisë.

Rrjeti kujton se sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj lirisë së shprehjes dhe të drejtës së publikut për të qenë i informuar.

“Tolerimi i dhunës ndaj mediave dëmton më tej demokracinë e brishtë dhe kthen atmosferën e frikës në një ‘normalitet të ri’ për gazetarët që bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale. Detyrë e shtetit është të sigurojë një mjedis të sigurt për punën e gazetarëve”, theksohet në reagim.

SafeJournalists u bën thirrje organizatave dhe partnerëve ndërkombëtarë që të ndjekin nga afër situatën dhe të ushtrojnë presion ndaj institucioneve në Serbi për të garantuar sigurinë dhe të drejtat e gazetarëve.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut”, përfundon deklarata.