Ministri i Mbrojtjes së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zukan Helez, ka zhvilluar më 19 maj një bisedë me atasheun ushtarak të BeH në Serbi lidhur me incidentin diplomatik të shkaktuar nga ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Bratislav Gashiq.
Incidenti ndodhi më 12 maj gjatë ceremonisë për Ditën e Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe Ditën e Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë të Forcave të Armatosura të BeH, që u mbajt në një kazermë në Banja Luka. Gjatë intonimit të himnit shtetëror të Bosnjë dhe Hercegovinës, Gashiq qëndroi i ulur, duke treguar një qëndrim të hapur mosrespektimi ndaj simbolit shtetëror të BeH. Njëjtë veproi edhe presidenti i entitetit Republika Sërpska, Milorad Dodik.
Ministri Helez e cilësoi këtë akt si shkelje të rëndë të normave të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mungesë respekti për sovranitetin dhe dinjitetin e shtetit të Bosnjë dhe Hercegovinës. Si pasojë, më 16 maj, Helez njoftoi pezullimin e të gjitha formave të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet ministrive të mbrojtjes të BeH dhe Serbisë, me përjashtim të arsimimit të kadetëve nga BeH në akademinë ushtarake në Serbi.
Atasheu ushtarak i BeH në Serbi, Srdjan Caviq, është urdhëruar të dërgojë një notë verbale proteste në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë dhe të kryejë konsultime me institucionet përkatëse, për të ruajtur integritetin dhe marrëdhëniet diplomatike të BeH.
Gjithashtu, Ministri i Punëve të Jashtme të BiH, Elmedin Konakoviq, paralajmëroi dërgimin e një note diplomatike proteste ndaj Serbisë për shkak të sjelljes së ministrit Gashiq gjatë ceremonisë.
Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë, në përbërje të Forcave të Armatosura të BeH, ka për detyrë ruajtjen e trashëgimisë ushtarake të tri ushtrive të mëparshme nga të cilat burojnë përkatësisht popujt konstituivë të BiH: Ushtria e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Këshilli Kroat i Mbrojtjes dhe Ushtria e RS-së. Ky regjiment ka qenë edhe më herët në qendër të debatit publik, përfshirë pjesëmarrjen në kremtimet e 9 janarit, i cili është shpallur si ditë jo-kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e BeH. /REL