string(118) "moti-nuk-perjashtohet-mundesia-per-reshje-shiu-ne-atmosfere-do-te-fillojne-te-shfaqen-koncentrimet-e-pluhurit-saharian"

Lajme

Gazeta Express

20/05/2025 7:06

Moti: Nuk përjashtohet mundësia për reshje shiu, në atmosferë do të fillojnë të shfaqen koncentrimet e pluhurit saharian

Lajme

Gazeta Express

20/05/2025 7:06

Kjo javë, gjatë këtyre ditëve do të karakterizohet me një ngritje të temperaturave, si dhe priten koncentrime të pluhurit saharian mbi rajonin tonë, nga dita e martë e deri të enjten.

Këto koncentrime pritet të ndikojnë në cilësinë e ajrit dhe do të bëjnë që reshjet eventuale gjatë kësaj periudhe të jenë të përziera me baltë.

Këto zhvillime atmosferike vijnë pas motit të pazakontë të fundjavës së kaluar, kur masa të ftohta me origjinë polare sollën sërish borë në zonat malore në mes të majit.

Edhe pse këto masa tashmë janë dobësuar, qendrat aktive me presion të ulët do të mbesin të pranishme mbi rajonin tonë gjatë gjithë javës, duke sjellë paqëndrueshmëri në kushtet e motit.

Dita e hënë u karakterizua me vranësira dhe intervale me diell. Në disa zona pati fillimisht riga shiu, ndërsa gjatë pasdites dhe në orët e mbrëmjes janë shfaqur rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

E marta do të vijojë me diell dhe vranësira. Nuk përjashtohet mundësia për ndonjë reshje të dobët, ndërkohë që në atmosferë do të fillojnë të shfaqen koncentrimet e pluhurit saharian.

Të mërkurën, pritet mot me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell. Herë pas here do të ketë rrebeshe lokale shiu, të cilat, për shkak të pluhurit saharian, pritet të jenë të përziera me baltë dhe të shoqëruara me shkarkesa rrufesh.

Të enjten, pas reshjeve lokale në orët e para të 24-orëshit, moti do të vijojë me diell dhe vranësira. Edhe kjo ditë mund të sjellë reshje të izoluara me përzierje balte.