Ceremonia e ndarjes së çmimeve për Topin e Artë 2025 do të mbahet më 22 shtator në Paris, njoftoi UEFA të hënën, duke vënë një theks të veçantë në përmirësimin e përfaqësimit të lojtareve në këtë ngjarje prestigjioze.
Këtë herë, data nuk përkon me ndeshje ndërkombëtare të futbollit të femrave, duke i lejuar lojtaret të jenë të pranishme në ceremoninë gala, ndryshe nga dy vitet e fundit kur shumica prej tyre nuk kishin mundësi të merrnin pjesë për shkak të angazhimeve me kombëtaret.
“Jemi krenarë që po zgjerojmë vlerësimin tonë për të përfshirë tre kategori të reja që nderojnë arritjet e lojtareve femra,” tha UEFA, e cila prej vitit të kaluar bashkë-organizon ngjarjen me shtëpinë botuese që zotëron revistën “France Football”.
Në vitet 2023 dhe 2024, ceremonitë u mbajtën më 30 tetor dhe 28 tetor, në mbrëmje të së hënës, në javë pa ndeshje të Ligës së Kampionëve apo të ekipeve kombëtare të meshkujve — por që përkonin me grumbullime të detyrueshme për lojtaret e kombëtareve.
Këtë vit, 22 shtatori bie në një të hënë pa ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe pa ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026, si për meshkuj, ashtu edhe për femra.
Fituesit e Topit të Artë në vitin e kaluar ishin të dy nga Spanja: Rodri i Manchester Cityt dhe Aitana Bonmatí e Barcelonës, e cila e kishte fituar edhe një vit më parë.
Për më tepër, për edicionin e vitit 2025, do të shtohen tre kategori të reja për femrat: Lojtarja më e mirë e re, Portierja më e mire, Golashënuesja më e mirë për klub apo kombëtare.
Emrat e nominuar për çmimet do të shpallen në muajin gusht, konfirmoi UEFA. Kjo lëvizje shihet si një hap i rëndësishëm drejt një përfaqësimi më të barabartë dhe vlerësimi real të futbollit të femrave në nivel botëror./GazetaExpress/