Humbja në gjysmëfinale të CONCACAF Champions Cup i ka bërë keq Inter Miamit.
Skuadra e Javier Mascheranos nuk ka arritur të ngritet në kampionat, ku e ka regjistruar vetëm një fitore në katër ndeshjet e fundit dhe mbrëmë u mposht thellë në derbin me Orlandon.
Humbja 0:3 në shtëpi, përkundër prezencës së Lionel Messit nga minuta e parë, nuk ishte e mjaftueshme, shkruan “Gazeta Express”.
Madje, ylli argjentinas është ankuar në referimin në kampionatin amerikan pas ndeshjes.
“Mendoj se e bëmë një pjesë të parë të mirë. Sulmuam, krijuam raste, ata mbroheshin dhe e largonin topin. Dhe, nga një aksion i çuditshëm arriti goli i tyre: njëri prej lojtarëve të tyre ia pasoi topin portierit dhe gjyqtari më tha se nuk e njihte rregullën, që nuk e kuptonte… Portieri më pas e bëri një pasim të gjatë dhe ata shënuan. Mendoj se ka ardhur momenti për të biseduar për nivelin e referëve në MLS”, deklaroi tetë herë fituesi i Topit të Artë.
“E vërteta është që ta humbësh një ndeshje tjetër kjo të bën të ndihesh keq. Ne po vinim nga një seri e rezultateve negative, por duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të mendojmë për të ardhmen. Na mbesin edhe 3-4 ndeshje për ta mbyllur muajin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe për ta nisur më pas Botërorin e Klubeve”, shtoi Messi.
“Tash do ta shohim nëse jemi vërtet një skuadër, në momentet e vështira, sepse kur gjithçka shkon mirë është gjithçka e lehtë, por kur arrijnë momente të vështira si ky, duhet të jemi më të bashkuar se asnjëherë më parë, të jemi një skuadër e vërtetë. Do të nisim të përgatitem për ndeshjen kundër Philadelphias”, përfundoi Messi. /Gazeta Express