Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në një konferencë për mediat, raportoi rekomandimet e qeverisë për luftën ndaj kriminalitetit 2025. Këto të fundit prekin 8 fusha kryesore, që nga respektimi i të drejtave të njeriut e deri te bashkëpunimi efikas me ndërkombëtarët.
“Rekomandimet janë hartuar mbi bazën e një analizë të thelluar të situatës kriminale në vend, të dhënave statistikore të raportuara nga vetë organi i Prokurorisë dhe veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit të vendit në BE”, tha Manja.
“Kërkohet respektimi i të drejtave të njeriut, që duhet të jetë në qendër të punës së Prokurorisë. Kërkohet respektim i parimit të prezumimit të pafajësisë, respektimit të të drejtave proceduriale të të pandehurve dhe viktimave, shmangia e vonesave të pajustifikuara në hetime dhe përdorimi proporcional i masave të sigurimit. Institucionet e drejtësisë orientohen të promovojnë procedurat e posaçme, veçanërisht për të miturit dhe rastet kur vendimi mund të jepet me alternativa efektive ndaj burgimit.
Forcimi i luftës kundër kriminalitetit, kërkohet rritje e hetimeve të nisura dhe ndjekie penale për korrupsionin veçanërisht të niveleve të larta dhe hetime financiare për pasuri me origjinë kriminale. Të forcohet bashkëpunimi ndërkombëtar e po ashtu lufta ndaj krimit kibernetik.
Integriteti, transparenca dhe përgjegjshmëria. Prokuroria duhet të forcojë kontrollin përtej procesit të vettingut, duhet trajtuar seriozisht çdo ankesë dhe të rritet transparenca për qytetarët. Kërkohet miratimi i standardeve të qarta për etikën dhe profesionalizmin si dhe publikimi i praktikave të punës në përputhje me legjislacionin. Mbrojtja e të dhënave personale dhe respektimi i sekretit hetimor.
Efiçensa dhe ngritja e kapaciteteve institucionale, nevojitet krijimi i strukturave të specializuara për çështje komplekse, investim në teknologji e burime njerëzore dhe zhvillim trajnimesh me Shkollën e Magjistraturës dhe partnerët ndërkombëtarë. Trajnime për antikorrupsion, krimin e organizuar dhe krimet kibernetike, duhet të jenë prioritet kombëtar. Për këtë shtyllë, një rol thelbësor do duhet të ketë edhe mbështetja e qeverisë në buxhet e burime njerëzore.
Metodat bashkëkohore të hetimit, sugjerohet përdorimi i Inteligjencës Artificiale dhe analizës së të dhënave që janë thelbësore në hetimin e krimeve komplekse. Kërkohet intensifikim i metodave proaktive të hetimit, përfshirë përgjimet, ndjekjet financiare dhe mbikëqyrjen elektronike si dhe bashkëpunim më i ngushtë me Policinë e Shtetit dhe Policinë Gjyqësore.
Bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, që është e gatshme për shkëmbim statistikash dhe përmirësim të ndihmës juridike ndërkombëtare. Bashkëpunimi ndërinstitucional duhet një strategji mes SPAK, Policisë dhe institucioneve të tjera publie, marrëveshje për shkëmbim të të dhënave, përcaktim i pikave të kontaktit. Bashkëpunim me ndërkombëtarët, sidomos për ndjekjen penale të krimit të organizuar ndërkombëtar“, deklaroi më tej ai.