Ish-futbollisti dhe tani juristi, Arsim Jashari, ka ngritur pikëpyetje serioze rreth përkushtimit të skuadrës së Ballkanit në ndeshjen e fundit ndaj Llapit, e cila është zhvilluar në kuadër të Superligës së Kosovës.
I ftuar në emisionin sportiv “Favorit”, Jashari komentoi me tone të drejtpërdrejta performancën e kampionëve aktualë, duke sugjeruar se mungesa e angazhimit në këtë përballje ishte e dukshme dhe shqetësuese.
“Për mendimin tim, Ballkani ka ecë nëpër fushë në ndeshjen ndaj Llapit. Interesimi për me fitu aty ka qenë zero,” u shpreh Jashari, duke nënvizuar se qëndrimi i skuadrës në atë takim ka lënë shumë për të dëshiruar.
Ai shtoi më tej se vlerësimi i tij nuk bazohet vetëm në perceptimin personal, por edhe në diskutimet që po qarkullojnë në opinionin sportiv.
“Po flas atë që kam parë dhe çfarë po flitet.”
Deklaratat e Jasharit vijnë në një moment të ndjeshëm të kampionatit, kur çdo pikë është vendimtare në garën për titull dhe për mbijetesë.