Policia e Tiranës ka referuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) materialet për dy eksponentë të Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Klevis Balliu, në lidhje me një incident të ndodhur gjatë protestës së organizuar nga opozita më 16 maj 2025 në Bulevardin e Ri, në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, referimi është bërë pas kallëzimit të gazetares B. D., e cila ka deklaruar se është kanosur verbalisht nga dy politikanët për shkak të detyrës së saj. Në kallëzim theksohet se ndërsa ajo po mbulonte protestën, u përball me tone kërcënuese dhe ofenduese nga Paloka dhe Balliu, gjë që solli dhe reagime të dhunshme nga disa protestues ndaj përfaqësuesve të medias.
Një pjesë e momentit është bërë publik, ku Edi Paloka dëgjohet t’u drejtohet gazetarëve me fjalët: “Mos bëj skema këtu! U bëtë ju! Kam qenë gazetar 20 vite para jush”, koment që u pasua nga tensione të tjera në terren.
SPAK pritet të shqyrtojë materialet e referuara për të vlerësuar nëse do të nisë një procedim penal për kanosje ndaj gazetares në krye të detyrës. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Paloka dhe Balliu mbi ngjarjen.