string(104) "vandalizohet-posteri-i-komandant-lleshit-ne-bujanoc-kryetari-pajaziti-kerkon-pergjegjesi-nga-autoritetet"

Lajme

Gazeta Express

17/05/2025 14:16

Vandalizohet posteri i Komandant Lleshit në Bujanoc, kryetari Pajaziti kërkon përgjegjësi nga autoritetet

Lajme

Gazeta Express

17/05/2025 14:16

Kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka njoftuar se është vandalizuar posteri që promovon koncertin në kuadër të manifestimit të Ditëve të Komandant Lleshit.

Ai tha se ky sulm nuk është thjesht një veprim kundër një materiali promovues – është një sulm i papranueshëm ndaj kujtesës historike e kulturës së shqiptarëve.

“Me shqetësim dhe indinjatë kemi mësuar për aktin vandal të kryer ndaj posterit që promovon koncertin në kuadër të manifestimit të Ditëve të Komandant Lleshit. Thyerja e xhamit dhe dëmtimi i këtij posteri nuk është thjesht një veprim kundër një materiali promovues – është një sulm i papranueshëm ndaj kujtesës historike, kulturës sonë dhe përpjekjeve për nderimin e figurave që kanë dhënë gjithçka për lirinë dhe dinjitetin tonë”, ka shkruar Pajazit.

Ai shtoi se “ky akt i ulët nuk përfaqëson vlerat e qytetarëve tanë dhe të komunitetit tonë të shumëllojshëm që ndërton mbi respektin, tolerancën dhe bashkëjetesën”.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë veprim dhe bëjmë thirrje që autoritetet përkatëse ta hetojnë rastin me seriozitetin e duhur, në mënyrë që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi për këtë sjellje të papranueshme”.

“Ne nuk do të lejojmë që akte të tilla të cenojnë frymën e unitetit dhe të respektit që përpiqemi të ndërtojmë çdo ditë. Manifestimi i Ditëve të Komandant Lleshit do të vazhdojë siç është paraparë – me dinjitet, krenari dhe në nderim të historisë sonë”.

Ridvan Qazimi, i njohur me nofkën komandant Lleshi, ishte ndër komandantët më të shquar të  Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Ai ra dëshmor më 24 maj të vitit 2001 në fshatin Tërnoc i Madh.