Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka realizuar takim me Beate Majnl-Rajsinger, ministre federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, në të cilën u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike, të bazuara në respekt dhe mirëkuptim, si dhe u vu re bashkëpunimi i zhvilluar dhe intensiv në telekomunikacion, bankari, kulturë, arsim dhe fusha të tjera, informoi sot në mëngjes Kabineti i presidentes.
“Siljanovska Davkova theksoi nevojën për t’i dhënë fund maratonës maqedonase drejt Brukselit, e kushtëzuar nga bilateralizimi i procesit të integrimit evropian dhe standardet e dyfishta për anëtarësim, ndonjëherë në kundërshtim me vlerat dhe parimet themelore të përcaktuara në dokumentet kushtetuese të BE-së. Duke theksuar se Ballkani Perëndimor ishte dhe mbetet një prioritet i Qeverisë së re austriake, Ministrja Majnl-Rajsinger theksoi se pa rajonin e Ballkanit Perëndimor, Unioni nuk është i plotë. Duke e përmendur Austrinë si mbështetësen tonë të fortë, ajo konfirmoi se e ardhmja e Maqedonisë është në Bashkimin Evropian dhe se do të donte që bisedimet për zgjidhjen, por edhe gjetjen e vetë zgjidhjes, të këtij kontesti dypalësh të pabazuar të zhvilloheshin në Vjenë”, thuhet në komunikatë.
Presidentja Siljanovska Davkova gjithashtu ka përmendur se në dy dekadat e fundit, Austria ka qenë investitori më i madh i huaj, me mbi 50 kompani në vend dhe theksoi potencialin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushat e burimeve të energjisë së rinovueshme, infrastrukturës dhe arsimit, ndërsa ministrja Majnl-Rajsinger e theksoi turizmin si një degë në zhvillimin e së cilës, përvoja e suksesshme e Austrisë mund të jetë një ndihmë e madhe.
Duke shprehur mirënjohjen e saj të sinqertë për solidaritetin dhe ndihmën pas tragjedisë në Koçani, Siljanovska Davkova tha se Austria edhe një herë dëshmoi se është miku dhe partneri ynë i sinqertë. Të dyja ranë dakord se është koha për një vizitë në nivelin më të lartë, në Shkup ose Vjenë, njoftoi Kabineti i presidentes.