Ashtu edhe siç ishte e paraparë, sot u mbajt vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, më saktësisht, tentativa e 17-të e saj. Kësaj here, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë mori vetëm 53 vota ‘për’, një ishte kundër, kurse abstenime nuk pati fare, shkruan Gazeta Express.
Sot, kryesuesi i seancës Avni Dehari, nisi seancën pak më ndryshe se në ato paraprake. Për dallim nga ato të kaluarat, ku Dehari vazhdon seancën duke kërkuar nga partitë të propozojnë anëtarët e tyre për komisionin për votim të fshehtë, ai sot, ftoi përfaqësuesit e partive për një konsultim.
Për të kuptuar se çfarë u diskutua mes Deharit dhe përfaqësuesve të partive, u deshtë të përfundoi seanca fillimisht.
Ishte kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ai që në konferencë për media, bëri të ditur që Dehari kërkoi nga partitë e tjera dakordim në mënyrë që seancat konstituive të mbahen një herë në javë e jo çdo 48 orë, ashtu siç janë mbajtur tashmë për mbi një muaj.
Këtë kërkesë të VV-së, PDK-ja e hodhi poshtë menjëherë duke thënë se është shkelje e rregullores.
“Në kundërshtim me rregulloren që thotë se duhet të mblidhemi çdo dy ditë derisa të konstituohet Kuvendi, ata kërkuan që të mblidhemi një herë në javë. Këto janë dy probleme: e para; është krejtësisht e papranueshme të bëhet një kërkesë e tillë për të shkelë rregulloren me vetëdije deputetët e Republikës së Kosovës dhe e dyta kjo tregon që i tyre s’është në asnjë mënyrë për të tentuar për të bërë zgjidhje apo për të lëvizur përpara, por thjesht këto përsëritje, këto repriza të mos mbahen çdo dy ditë, po çdo javë. Kërkesa ishte e Lëvizjes Vetëvendosje që të mblidhemi një herë në javë. Ne thamë që s’mund ta shkelim rregulloren dhe duhet të mbahet çdo 48 orë, ashtu siç e parasheh rregullorja”, tha Krasniqi para gazetarëve.
Kërkesën e Deharit për seanca një herë në javë, e konfirmoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetes së saj, Hykmete Bajramit.
Bajrami para mediave kërkesën e VV-së e cilësoi si indikacion shtesë se kjo parti s’është e interesuar për konstitumin e kuvendit.
‘‘Po e filloj me këtë propozimin që e dha zoti Dehari në fakt ishte kërkesë për të gjitha partitë, që në qoftë se pajtohemi të mblidhemi jo çdo 48 orë, por të mblidhemi një herë në javë. Në fakt ne këtë e shohim indikacion shtesë që LVV-ja nuk është absolutisht e interesuar që ta bëj konstituimin e kuvendit, do më thënë ata mungesën e institucioneve të kuvendit dhe të qeverisë e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë të deputetëve. Vetëm ky është problemi i tyre, që ‘’për ne është problem të vijmë çdo 48 orë’’. Normalisht që u refuzua në kërkesë e tillë. Me të vërtetë është fatkeqësi që për 17 herë u mbledhem dhe nuk arritëm në fakt që të lëvizim asnjë hap përpara.’’, ka thënë deputetja e LDK-së.
Propozimin e kësaj partie, e ka komentuar edhe vetë deputetja e VV-së, Mimoza Kusari.
Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se propozimin për “shmangie të rregullores së Kuvendit” dolën për shkak se opozita “s’po reflekton” për përgjegjësinë e saj.
Ai pranoi se propozimi i partisë së saj është ‘‘shmangie e rregullores’’, por se këtë propozim, LVV-ja e ka bërë, pasi që, siç ka thënë Kusari, partitë e tjera ‘‘nuk e kanë asnjë reflektim’’.
“Seanca është filluar me një kërkesë për konsultim nga kryesuesi i seancës që në një dakordim të plotë nëse ka në mes të grupeve parlamentare, në një shmangie të rregullores ose procedurës të paraparë me rregullore, të dakordohemi të takohemi më rrallë për arsye se 48 orëshi në vazhdimësi po përsëritet po shihet se nuk e ka atë rezultat përderisa partitë e deritashme të opozitës nuk e kanë asnjë reflektim për përgjegjësinë e tyre për zhbllokimin e punës së Kuvendit.U akuzuam edhe njëherë për shkelje, ishte propozim për dakordim që nuk u mbështet dhe nuk u realizua rrjedhimisht nuk mund të quhet si shkelje, përveçse për të kthyer paksa në një orar tjetër këto takime dhe e dyta që asnjë nga tri partitë që deklarohen se’ kanë qëndrimin e njëjtë për mbarëvajtjen e seancës konstituive”, ka thënë ajo pas seancës.
Ndryshe, tashmë janë bërë më shumë se një muaj që nga fillimi i seancës konstituive të Kuvendit, porse asnjë nga mbledhjet e mbajtura s’ka pasur rezultat.
Tentativa e 18-të e seancës për konstituim do të vazhdojë pas dy ditësh. /GazetaExpress