string(87) "rama-krejt-evropen-ne-konak-kddurtit-vale-e-re-kritikash-e-paralajmerimesh-nga-brukseli"

Lajme

Gazeta Express

16/05/2025 23:21

Rama krejt Evropën në konak, Kurtit valë e re kritikash e paralajmërimesh nga Brukseli

Lajme

Gazeta Express

16/05/2025 23:21

Liderë nga mbarë Evropa kanë “sfiluar” të premten në Tiranë, saktësisht 47 syresh, të cilët kishin ardhur për tubimin e radhës të Komunitetit Politik Evropian. Një prej figurave qendrore ishte Edi Rama i cili i priti një nga një, dhe “guxoi” t’i paraqes si fëmijë të vegjël në një video të AI. E premtja në Kosovë ishte e ftohtë dhe me shi. Për shkak të disa veprimeve në Veri, Kosovës dhe Kurtit personalisht i erdhi një valë kritikash nga Brukseli – thelbi i të cilave ishte – po cenohet pozita ndërkombëtare e Kosovës.

Pasqyra e të dy vendeve në raport me BE-në dhe Evropën që u pa sot, mundet t’u faturohet liderëve të të dy vendeve.

Në Shqipëri është Edi Rama. Kryeministri shqiptar që po qeverisë me vendin atje që nga 2013, dhe se fundi fitoi prapë zgjedhjet e këtij viti me rezultat bindshëm përpara.

I njëjti sot ishte mikpritës i 47 liderëve të vendeve dhe organizatave evropiane, të cilët u mblodhën sot në Tiranë për samitin njëditor, të Komunitetit Politik Evropian, ku u diskutua për sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, e ku në krye të agjendës ishte edhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës.

Me buzëqeshje, përqafime të ngrohta e madje edhe përulje, Rama, priti një e nga një mysafirët e tij, të cilëve u tregoi edhe rregullën kanunore të shqiptarëve për shtëpinë e shqiptarit, e cila i përket Zotit dhe e mikut.

Për të vërtetuar situatën pozitive të Shqipërisë në raport me BE-në dhe rrugën e saj evropiane, duhet theksohen komentet e shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas e cila vuri në pah progresin e këtij vendi për rrugën drejt BE-së.

“Po mendoj që Shqipëria po bën një progres të shkëlqyer kur vjen puna për reformat. Për ne është…nga ana e Evropës duhen bërë hapat e duhur, ju duhet të bëni reformat, por ka një moment poolitik kur të gjithë duan që procesi i zvgjerimit të ndodhë”, tha ajo

Më fjalë pozitive për Shqipërinë foli edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

“Falënderoj Edin, jo sepse jetoj në një protektorat, por sepse më bëri të ndihesha shumë e re në videon që na u shfaq,” tha ajo me një ton miqësor, duke uruar gjithashtu kryeministrin shqiptar për rizgjedhjen e tij “tërësisht të papritur”. Evropën e re në një botë të re nuk mund ta ndërtojmë pa Ballkanin Perëndimor,” përfundoi Meloni.

Nga Tirana, për rajonin e Shqipërinë u deklarua edhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Duhet bërë diçka më shumë edhe për integrimin rajonal që duhet të jetë një çështje e diskutuar edhe zgjerimi i BE-së. Duhet të bashkërendohemi për kërcënimet ë vijnë nga jashtë, gjithçka që mund të sjellë konkurrencë të pandashme. Të gjithë po japim dhe marrin me tarifat e SHBA-ve. Do të jemi më të fortë po të rrimë së bashku. 700 milionë konsumatorë, do të  jemi shumë më mirë dhe shumë më të aftë për të përballuar konkurrencën nga Azia”.

Pos tyre, sigurisht janë deklaruar edhe liderë të tjerë si kryeministri britanik Starmer i cili falënderoi Ramën dhe këtë takim e cilësoi si ‘‘kyç për kontinentin’’. Po ashtu ka qenë edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili nga Tirana, bëri thirrje për një qasje më të ndjeshme dhe më kritike ndaj konflikteve ndërkombëtare, duke u ndalur veçanërisht te lufta në Ukrainë dhe situata dramatike në Gaza.

Në anën tjetër, Kosova, gjendet në një realitet tjetër kur bie fjala tek marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

Në Kosovë është Albin Kurti. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, deputet i saj, i cili qeverisi me vendin për katër vite. Sot i njëjti vazhdon të qëndroj në krye të detyrës si kryeministër, me kufizimet që i takojnë, edhe pse, për shumë kë kjo po cilësohet e kundërligjshme.

Për dallim nga Rama, Kurti, s’ka pasur raporte të ngrohta me ndërkombëtarët.Përkundrazi.

Kosova është  nën sanksione nga BE-ja.

Për këto të fundit u deklarua edhe Antonio Costa, presidenti i Këshillit Evropian, i cili gjatë qëndrimit të tij në Kosovë komentoi masat.

“Këto masa janë të lidhura me nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Dhe ajo që dëshiroj është që sa më shpejt të kemi këtë de-përshkallëzim, e më pas të mund të ecim përpara dhe t’i heqim këto masa. Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë një prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon rregullin se ju jeni plotësisht të angazhuar në këtë rrugë evropiane për të de-përshkallëzuar dhe, siç tha Zonja Presidente dje, për t’u angazhuar në këtë dialog mes Beogradit dhe Prishtinës”,  tha ai. Hiç më larg se sot, pak orë më parë, BE kritikoi aksionet në veri të vendit, dhe kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejt nga Kurti që të mos marrë veprime të që mund të çojnë në përshkallëzim të situatë.

‘‘I bëjmë thirrje kryeministrit në largim Kurti dhe autoriteteve në Kosovë të ndalojnë këto mbyllje, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të situatës’’, u tha nga BE mes tjerash.

Përveç këtyre kritikave, Kurti me kabinet është kritikuar edhe për sulmet ndaj mediave.

Sot AGK theksoi se ‘‘sulme të tilla të orkestruara kanë ndikuar që Kosova të renditet më se keqi në rajon sa i përket lirisë së mediave’’.

Pos AGK-së, për këtë çështje kanë reaguar edhe nga QUINT, nga ku ambasadori gjerman Jorn ROhde, ka shkruar se: “Gazetaria e lirë dhe e pavarur është një gur themeli i demokracisë dhe meriton të respektohet dhe mbrohet”.

Një situatë të komplikuar Kosova e ka edhe me formimin e qeverisë së re. Mbi tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve, dhe mbi 16 tentimeve për konstitumin e Kuvendit, kjo ende s’është arritur. Gjë për të cilën, pikë adresimi kryesor është Albin Kurti.

Për këtë çështjen e fundit, duhet theksohet se seanca do të vazhdojë nesër sërish, nga ora 10:30. /GazetaExpress